Moti i keq/ 525 hektarë tokë bujqësore në qarkun e Shkodrës me prezencë uji, cilat janë zonat më problematike

11/01/2026 09:35

Situata hidrologjike në territorin e Bashkisë Shkodër paraqitet e qëndrueshme dhe nën monitorim të vazhdueshëm, me nivele uji nën kuotat kritike dhe pa banesa me prezencë uji në brendësi të tyre.

Harta e tokave nën prezencën e ujit vlerësohet të jetë në nivelet rreth 525 Ha në disa njësi administrative të Bashkisë Shkodër. Pa ndryshime në nivel qarku. Nivelet e lumenjve janë të qëndrueshme, nën kuotat kritike.

Nivelet e lumenjve dhe infrastruktura ujore
• Buna në Dajç: 6.58 m.
• Ura e Vjetër e Bunës: 8.50 m (kritike 9.50 m).
• Drin te Ura e Bahçallëkut: lexim 4.20 m (kritike 10.00 m). Të gjitha nën kuota kritike.
• Hidrovoret në punë me kapacitet të plotë; nivelet e ujit të mbajtura në kuota -1.80. Argjinaturat, kanalet dhe shkarkuesit e digës së Rezervuarit Shtodrit pa probleme.

Bashkia Shkodër- Në fshatrat Obot dhe Dajç vijon të ketë prezencë uji në oborre të disa banesave, pa rrezik për banesat dhe pa riskun për evakuime deri në këto momente.
Rruga e Obotit është e kalueshme me mjete me kalueshmëri të lartë të ushtrisë;
Banorët janë furnizuar me pako ushqimore dhe ujë të pijshëm.
Fshati Dajç: situatë e qëndrueshme, pa banesa të izoluara nga uji.
Në territorin e bashkisë Malësi e Madhe paraqitet situatë e qetë; rruga e fshatit Preknicaj është bërë e kalueshme, pas rehabilitimit të kryer pas tërheqjes së përroit.
Në bashkinë Vau Dejës vijojnë reshje shiu me intensitet të ulët; pa problematika.
Në bashkitë Pukë dhe Fushë-Arrëz vijojnë reshje dëbore rreth 10- 15 cm. Nuk raportohen problematika.

Akseset rrugore
• Hani i Hotit–Vermosh: reshje të dendura dëbore, erë e fortë mbi 700 m; në Qafën e Perdolecit dëbora >80 cm. Qarkullimi rekomandohet me goma dimërore dhe zinxhirë.
• Bogë– qafë Thore- Theth: Dëbora vlerësohet të ketë arritur në 120 cm në disa segmente të rrugës. Segmenti pranë tunelit panoramik i bllokuar nga orteqet, ku ka patur dhe një automjet të bllokuar që është asistuar nga firma kontraktore për të vijuar pastrimin e aksit nga ortekët e ndodhur gjatë natës.
• Firmat kontraktore vijojnë punën pa ndërprerje për të mundësuar kalueshmërinë e rrugës në vijimësi.
Të gjithë ekipet e emergjencave civile janë në gatishmëri të plotë. Forcat Tokësore prej ditësh lehtësojnë aksesin e banorëve të Obotit përtej segmentit të pakalueshëm.

Prefektura e Qarkut është në komunikim dhe koordinim të vazhdueshëm me Mbrojtjen Civile, Policinë e Shtetit dhe strukturat vendore për çdo problematikë të mundshme.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB