Rruga që lidh tre lagje në zonën pas Kalasë Argjiro në Gjirokastër është bllokuar si pasojë e një rrëshqitjeje të madhe dheu, duke vështirësuar ndjeshëm jetën e përditshme për dhjetëra e qindra banorë.
Bëhet fjalë për rreth 12 mijë banorë të lagjeve Manalat i Parë dhe Manalat i Dytë, të cilët janë prekur drejtpërdrejt nga kjo situatë.Masivi i madh i dherave ka zënë rrugën kryesore që lidh lagjet, duke e bërë të pamundur qarkullimin normal të mjeteve dhe duke kufizuar aksesin në shërbime. Banorët janë të detyruar të lëvizin në këmbë nëpër shtigje të improvizuara, në kushte të vështira dhe të pasigurta.
Veçanërisht e vështirë është situata për 170 fëmijë që ndjekin shkollën “Naim Frashëri”, të cilët, ndonëse vazhdojnë të shkojnë në mësim, detyrohen të kalojnë çdo ditë nëpër rrugë të dëmtuara dhe terrene të vështira, duke rrezikuar sigurinë e tyre.
Banorët kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme për pastrimin e masivit të dherave dhe rehabilitimin e rrugës, ndërsa Bashkia e Gjirokastrës po pret raportin e Shërbimit Gjeologjik, i cili ka kryer studime jo vetëm në këtë zonë problematike, por edhe në disa pika të tjera të qytetit ku janë evidentuar rrëshqitje të mëdha dheu.
Top Channel