Një 46-vjeccar turk është arrestuar dhe një 50-vjeçar është shpallur në kërkim si pasojë e operacionit policor “Brands 2”, duke goditur një aktivitet të paligjshëm të falsifikimit dhe tregtimit të veshjeve me logo të markave të njohura ndërkombëtare.
Operacioni u zhvillua nga Sektori për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në Drejtorinë për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DPPSh, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, me mbështetjen e Komisariatit të Policisë Nr. 5 dhe Forcës së Posaçme “Shqiponja”.
Gjatë kontrolleve në zonën e Kamzës, shërbimet e Policisë zbuluan një magazinë ku stampoheshin veshje dhe këpucë të kontrabanduara me logo false të markave të njohura.
Si rezultat i operacionit:
U arrestua shtetasi turk Ozkan Sulun, 46 vjeç;
U shpall në kërkim shtetasi turk Mehmet Karçiga, 50 vjeç;
U proceduan në gjendje të lirë 3 punonjëse të magazinës, shtetaset L. M., Sh. M. dhe Sh. B.
Gjatë ndërhyrjes, Policia sekuestroi: sasi të mëdha veshjesh dhe këpucësh të dyshuara si kontrabandë; makineri lazeri, printimi dhe stampimi; stampa dhe logo të markave ndërkombëtare; 1 aparat celular, si dhe dokumente e sende të tjera që do t’i shërbejnë hetimit.
Nga verifikimet paraprake dyshohet se mallrat kishin shmangur detyrimet doganore dhe përdoreshin pajisje të posaçme për falsifikimin e logove, të cilat më pas vendoseshin në produkte të ndryshme për tregtim.
Policia vijon punën për lokalizimin dhe kapjen e shtetasit të shpallur në kërkim, ndërsa materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme.
Top Channel