Rritje e shpejtë e nivelit të ujit në Liqenin e Kukësit, parashikohet arritja e kuotës maksimale brenda dy ditëve

10/01/2026 14:21

Reshjet intensive të shiut që kanë përfshirë veriun e vendit kanë shkaktuar një rritje të shpejtë të nivelit të ujit në Liqenin e Kukësit.

Brenda vetëm katër ditësh, niveli i ujit është rritur me rreth 11 metra, një zhvillim që normalisht do të kërkonte të paktën dy muaj për akumulimin e rezervave hidrike.

Prurjet në lumin Drin janë shumëfishuar, nga 260 m³/s para nisjes së reshjeve në 1200 m³/s aktualisht në HEC Fierzë, duke shtuar sasinë e ujit që derdhet në liqen. Niveli aktual në HEC Fierzë është 290.8 metra, ndërsa niveli maksimal i Liqenit të Kukësit është 296 metra. Ekspertët parashikojnë që kuota maksimale të arrihet brenda dy ditëve të ardhshme.

Sipas specialistëve të HEC Fierzë, situata monitorohet vazhdimisht për të garantuar menaxhimin optimal të prurjeve dhe sigurinë e digës. Rritja e nivelit të ujit është pozitive për sektorin energjetik, duke përmirësuar rezervat hidrike dhe duke krijuar kushte më të favorshme për prodhimin e energjisë elektrike, megjithatë kërkon kujdes të vazhdueshëm në menaxhimin e kaskadës së Drinit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB