Ra me makinën që drejtonte në përrua dhe nuk e ndihmoi shokun që po mbytej, arrestohet 24-vjeçari në Klos

10/01/2026 14:08

Ditën e sotme pas mesnate një automjet ra në përroin e fshatit Dars ku si pasojë dyshohet se pasagjerin që ishte në automjet e ka marrë rrjedha.

Blutë bejnë me dije se ngjarja ka ndodhur rreth orës 01:30, ku konkretisht automjeti që drejtonte 24-vjeçari, Andi Losha dhe ku ishte pasagjer Jurgen Karaj, 30 vjeç ra në përrua.

Sipas policisë Losha u largua nga vendngjarja pa lajmëruar policinë dhe pa i dhënë ndihmë pasagjerit, të cilin dyshohet se e ka marrë rrjesha e përroit.

Losha u arrestua nga policia dhe pas testit të alkoolit u konstatua se 24-vjeçari e kishte drejtuar mjetin në gjendje të dehur.

Njoftimi i policisë:

Ra me automjetin që drejtonte në përroin e fshatit Dars, nuk njoftoi Policinë dhe u largua nga vendngjarja, dyshohet se nuk i dha ndihmë pasagjerit në brendësi të automjetit, Policia identifikon, kap dhe arreston 24-vjeçarin.

Shërbimet e Policisë dhe polumbarët e RENEA-s vijojnë kërkimet për gjetjen e pasagjerit, që dyshohet se e ka marrë rrjedha e përroit.

Rreth orës 01:30, është marrë informacion se në vendin e quajtur ura e fshatit Dars, njësia administrative Klos, një mjet tip “Audi”, me targa angleze, ka dalë nga rruga dhe ka rënë në përroin e fshatit Dars.

Menjëherë në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e Policisë dhe shërbimi zjarrfikës.

Nga veprimet e shpejta të kryera nga shërbimet e Policisë u bë i mundur identifikimi i drejtuesit të mjetit, shtetasit A. L., 24 vjeç, banues në fshatin Fullqet, Klos.

Po nga veprimet dyshohet se në automjet ka qenë edhe një pasagjer, shtetasi J. K., 30 vjeç, banues në fshatin Fullqet, të cilin dyshohet se e ka marrë rrjedha e përroit.

Gjatë veprimeve për zbardhjen e rrethanave të aksidentit, shërbimet e Policisë kapën dhe arrestuan shtetasin A. L., 24 vjeç, i cili dyshohet se pas shkaktimit të aksidentit është larguar nga vendngjarja.

Ky shtetas iu nënshtrua testit të alkoolit, nga i cili rezultoi se e drejtonte mjetin në gjendje të dehur.

 

Ndërkohë, polumbarët e RENEA-s, shërbimet e Policisë dhe zjarrfikësit vijojnë kërkimet në përroin e fshatit Dars për gjetjen e pasagjerit, shtetasit J. K.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB