Protesta në Minesota pas vrasjes së 37-vjeçares, të paktën 29 të arrestuar, një oficer policie i plagosur

10/01/2026 21:49

Të paktën 29 persona janë arrestuar në Minneapolis gjatë protestave për vdekjen e Renee Nicole Good, një grua që u qëllua nga një agjent i Shërbimit Amerikan të Imigracionit dhe Doganave (ICE).

Protestat kundër zbatimit të ligjit për imigracion janë mbajtur në të gjithë SHBA-në pas vrasjes së 37-vjeçares Good në makinën e saj të mërkurën. Administrata Trump tha se agjenti veproi në vetëmbrojtje, ndërsa zyrtarët lokalë theksuan se gruaja nuk paraqiste rrezik.

Policia e Minneapolis shpalli tubimin të paligjshëm, ndërsa protestuesit u mblodhën jashtë Hotel Canopy, ku besohet se qëndronin disa agjentë të ICE-së. Departamenti i policisë njoftoi se “disa individë hynë me forcë në hotel përmes një hyrjeje në rrugicë”. Videot treguan demonstrues që ndeznin drita dhe rrahnin daulle, disa prej tyre duke hedhur akull, borë dhe gurë ndaj oficerëve dhe automjeteve. Një oficer pësoi lëndime të lehta, por nuk pati nevojë për ndihmë mjekësore.

Sipas ‘BBC’, incidenti që shkaktoi protestat ndodhi të mërkurën. Videot tregojnë agjentët e ICE-së duke i kërkuar Good të dalë nga makina e saj SUV. Kur automjeti përpiqej të largohej, një agjent i drejtoi armën dhe dëgjohen të shtëna. Makina më pas përplaset në anë të rrugës.

Agjenti që qëlloi është Jonathan Ross, veteran i ICE-së. Sekretarja e Sigurisë Kombëtare, Kristi Noem, tha se Good po përpiqej të shtypte oficeren në makinën e saj, ndërsa kryebashkiaku demokrat i Minneapolis, Frey, e quajti këtë narrativë të rreme dhe tha se ajo po përpiqej të largohej nga vendi i ngjarjes.

FBI-ja po heton incidentin, ndërsa autoritetet e Minesotës thanë të premten se do të hapin një hetim të pavarur për të shtënat, pas pezullimit nga hetimi federal.

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB