Përmbytjet në vend, reagon Ministria e Mbrojtjes: Ja cilat janë qarqet që rrezikojnë më shumë

10/01/2026 16:00

Si pasojë e reshjeve intensive të shiut gjatë orëve të fundit, disa qarqe të vendit përballen me përmbytje, rritje prurjesh në lumenj, rrëshqitje dherash dhe vështirësi në qarkullimin rrugor, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Mbrojtjes.

Situata paraqitet më kritike në Shkodër, Durrës, Lezhë, Gjirokastër, Dibër dhe Berat, ndërsa në qarqet e tjera problematika është e kufizuar ose situata është e qëndrueshme.

Në Shkodër, rritja e niveleve të lumenjve Drin, Kir dhe Bunë ka shkaktuar përmbytje në njësitë administrative Ana e Malit dhe Dajç. Strukturat e bashkisë dhe emergjencave civile janë në terren, monitorojnë pikat me risk dhe marrin masa paraprake për mbrojtjen e jetës dhe pronës së qytetarëve. Hidrovoret po punojnë me kapacitet të plotë dhe nivelet e ujit janë nën kuotat kritike.

Në Durrës, nga 5 477 banesa të verifikuara, 1 711 kanë dëme, ndërsa janë evakuuar 851 persona, kryesisht në zonat Sukth dhe Katund i Ri. Rreth 2 000 hektarë tokë bujqësore ndodhen nën ujë. Autoritetet vijojnë vlerësimin e dëmeve.

Në Lezhë, niveli i ujit ka shënuar rënie në tokat bujqësore, ndërkohë që hidrovorët po punojnë me kapacitet të plotë për largimin e ujit nga banesat e përmbytura. Lumi Mat ka shënuar rritje për shkak të shkarkimeve nga HEC-et Shkopet dhe Qafë Mollë. Nuk ka probleme në akset rrugore.

Në Gjirokastër dhe Dibër, po punohet për pastrimin e akseve rrugore nga rrëshqitjet e dherave dhe largimin e ujit nga disa objekte.

Në Berat dhe Elbasan, rritja e prurjeve të lumenjve Osum dhe Devoll ka sjellë përmbytje të sipërfaqeve bujqësore, ndërsa situata monitorohet në mënyrë të vazhdueshme.

Ministria e Mbrojtjes bën me dije se në terren janë angazhuar efektivë të Forcave të Armatosura, të koordinuar nga Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile dhe Ministria e Mbrojtjes. Ata po asistojnë në transportimin e banorëve, shpërndarjen e ndihmave dhe mbështetjen e operacioneve emergjente.

Banorët e zonave të prekura u bëhet thirrje të kontaktojnë autoritetet vendore dhe të bashkëpunojnë me strukturat në terren për menaxhimin sa më efektiv të situatës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB