Territori i Qarkut Lezhë vijon të jetë i përfshirë nga reshje shiu me intensitet të dobët. Strukturat vendore dhe ato të emergjencave civile ndodhen në terren për monitorimin dhe menaxhimin e situatës.
Nga Bashkia Kurbin raportohet se të gjitha strukturat janë angazhuar në terren që në orët e para të mëngjesit.
Niveli i ujit ka rënë edhe në fshatin Adriatik, pas rritjes së eficiencës së hidrovorëve, pas mbylljes së çarjes së argjinaturës.
Gjatë inspektimeve janë konstatuar problematika në kanale dhe përrenj malorë, të cilat kanë shkaktuar dëmtime dhe rrëzime avllish, si dhe prani të përkohshme uji në disa banesa në zonën e Sh’merrisë dhe Bashkisë së Vjetër. Niveli i lumit Mat ka shënuar rritje, por deri tani pa pasoja.
Grupet e punës me punonjës të shërbimeve sociale po asistojnë familjet e përmbytura dhe të evakuuara, duke shpërndarë veshmbathje, dyshekë dhe batanije, ndërsa grupe të tjera po verifikojnë dëmet në orendi dhe kultura bujqësore. Vijon puna për riparimin e urës dhe rrugës në segmentin Skuraj–Vinjollë, si dhe pastrimi përgjatë gjithë gjatësisë së Kanalit të Ujit të Lartë në Njësinë Administrative Mamurras. Në terren janë angazhuar 45 persona dhe 7 mjete të rënda.
Nga Policia e Shtetit bëhet me dije se, si pasojë e baticës detare, uji ka dalë në rrugën e Patokut, pranë lokaleve të zonës, duke vështirësuar qarkullimin e mjeteve të vogla.
Nga Bashkia Lezhë raportohet rënie e nivelit të ujit në tokat bujqësore, ku sipërfaqja totale e prekur ka qenë rreth 1 350 hektarë, kryesisht në njësitë Balldre dhe Zejmen. Janë evidentuar 40 banesa me prani uji në oborre dhe 3 banesa me ujë brenda, në lagjen Sakë, Ishull Shëngjin.
Gjithashtu, janë konstatuar çarje dhe çedime në disa segmente rrugore, përfshirë rrugën Kolsh–Patalej, rrugën e Manatit që lidhet me autostradën, si dhe rrugën e Barbullonjës. Është evidentuar edhe lëvizje e bazamentit të urës në rrugën “Gjuetari”. Në fshatin Kolsh është konstatuar një predhë luftarake, për të cilën është kërkuar mbështetje për neutralizim. Ndërkohë, në fshatin Gjadër është rrëzuar një pemë në rrugën që çon drejt Kampit të Refugjatëve, ku ndërhyrja e MZSH Lezhë ka nisur për pastrimin e aksit.
Në Bashkinë Mirditë, si pasojë e reshjeve të ditëve të fundit, janë evidentuar rrëshqitje toke në disa fshatra, të cilat paraqesin rrezik për banesa dhe prona private, konkretisht në fshatrat Tharrë, Perlat Qendër dhe Prosek. Nga OSHEE Mirditë raportohet se po punohet për rikthimin e energjisë elektrike në zonën e Njësisë Administrative Fan.
Sipas raportimeve nga DRUK, të gjithë hidrovorët kanë punuar me kapacitet të plotë, me përjashtim të atij të Gocajve, i cili ka patur mungesë energjie gjatë orëve të natës. Furnizimi me ujë të pijshëm vijon sipas orareve, ndërsa niveli i lumit Drin ka shënuar rënie prej rreth 5 cm, ndërsa lumi Mat ka rritje për shkak të shkarkimeve nga hidrocentralet Shkopet dhe Qafë Mollë. Probleme me akset rrugore aktualisht nuk raportohen.
Situata vijon të monitorohet nga autoritetet dhe strukturat përgjegjëse mbeten në gatishmëri për çdo zhvillim të mëtejshëm.
Top Channel