Nga Endi Tufa

E shtuna e 10 janarit 2026 mund të dukej si një ditë e zakonshme pune për Igli Taren në zyrat luksoze të “Casa Milan”, ku arkitekti i ri i kuqezinjve italianë projekton të ardhmen e një prej klubeve më të mëdha në botë, por qindra kilometra larg shkëlqimit të “San Siros”, në tensionin dhe djersën e një sfide dramatike Kupe në Shqipëri, i biri, Etien Tare, po shkruante më në fund rreshtin e tij të parë të vërtetë të lavdisë personale. Në atë minutë të 116-të, kur këmbët rëndohen dhe mushkëritë djegin, shtatlarti 22-vjeçar kaloi mbrojtjen e Skënderbeut për të tundur rrjetën dhe për t’i dhënë Tiranës fitoren 2-1 dhe kualifikimin në çerekfinale, një gol që peshon shumë më tepër se sa thjesht statistika e një ndeshjeje futbolli. Për Etienin, ky moment është një klithme çlirimi pas vitesh të tëra duke jetuar, luajtur dhe vuajtur nën hijen gjigante të babait të tij, “tankut” legjendar të Kombëtares që dikur shpartallonte mbrojtjet e Bundesligës dhe Serisë A.

Historia e Etienit është drama klasike e djalit që duhet të mbajë mbi supe një trashëgimi që shpeshherë është shndërruar në mallkim, pasi ndërsa Igli në këtë moshë ishte një yll në ngjitje në futbollin europian, Etieni është detyruar të përtypë pluhurin e kategorive të ulëta dhe dyshimet e skeptikëve që e shihnin thjesht si “çuni i babit”. Karriera e tij, e cila nisi me pritshmëri tek të rinjtë e Lazios, pësoi krisjen e parë të madhe pikërisht për shkak të famës së të atit, pasi kur tensionet mes Igli Tares dhe presidentit Claudio Lotito arritën kulmin dhe sollën largimin e drejtorit legjendar nga Roma, “dëmi kolateral” ishte pikërisht Etieni. Në atë luftë egosh dhe pushteti në korridoret e Formellos, djaloshi mbeti i pambrojtur, pa rinovim kontrate dhe i detyruar të largohej si një viktimë e një beteje që nuk ishte e tija, duke nisur kështu një rrugëtim të dhimbshëm “nomad” nëpër kategoritë e ulëta të Austrisë, te Dukagjini në Kosovë e deri te stoli i Skënderbeut.

Fati deshi që sot ai të shënonte pikërisht ndaj atij Skënderbeu ku nuk gjeti hapësira, duke treguar se ndoshta instinkti i golit rrjedh vërtet në gjakun e familjes Tare, pavarësisht se stili i tij është më pak agresiv dhe karriera e tij shumë më modeste se ajo e Iglit. Ndërkohë që babai i tij sot ulet në majën e Olimpit të menaxhimit sportiv te Milani, duke qenë një nga figurat më me influencë në futbollin kontinental, Etien Tare zgjodhi të “bëjë baltë” në Superiore për të gjetur identitetin e tij, larg mbrojtjes atërore dhe sot, me atë gol në shtesë dërgoi Tiranën më tej, ai dëshmoi se mund të jetë heroi i mbrëmjes jo sepse mban mbiemrin Tare, por sepse diti të jetë në vendin e duhur në momentin e duhur. Ky gol mund të mos e bëjë atë Igli Taren e ri, por për herë të parë pas shumë kohësh, bëri që tifozët të njohin më shumë emrin e tij, Etien, pa pasur nevojë të shtonte pas mbiemrin e rëndë të babait.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB