Reshjet e shiut, breshërit dhe dëborës që kanë përfshirë disa zona të vendit kanë shtuar rrezikun për aksidente rrugore.
Në këto kushte, Policia e Shtetit u bën thirrje drejtuesve të automjeteve dhe motomjeteve të tregojnë kujdes të shtuar gjatë qarkullimit, me qëllim parandalimin e ngjarjeve aksidentale.
Në zonat malore, drejtuesit e mjeteve këshillohen të përdorin goma dimërore dhe të kenë me vete mjetet antirrëshqitëse, veçanërisht në segmentet rrugore ku ka prezencë dëbore dhe ngricash.
Shërbimet e Policisë janë në koordinim të vazhdueshëm me firmat kontraktore të mirëmbajtjes së rrugëve, në të gjitha zonat ku raportohen reshje dëbore dhe breshëri, për të siguruar pastrimin dhe mirëmbajtjen në kohë të akseve rrugore.
Në njoftimin e saj, Policia u kujton drejtuesve të mjeteve disa rregulla bazë sigurie:
Të moderojnë shpejtësinë e lëvizjes;
Të shmangin parakalimet e gabuara;
Të mos përdorin celularin gjatë drejtimit të mjetit;
Të mos drejtojnë automjetin nën efektin e alkoolit.
Autoritetet vijojnë monitorimin e situatës në terren dhe u bëjnë thirrje qytetarëve të bashkëpunojnë, për të garantuar sigurinë në rrugë gjatë kushteve të motit të keq.
Top Channel