“Me plagë në kokë dhe zemër”/ Protesta në Iran me 65 të vdekur, dëshmitë tronditëse të mjekëve : Shumica janë të rinj, morgu i mbushur…

10/01/2026 20:54

Stafi i tre spitaleve në Iran ka deklaruar se spitalet e tyre janë të mbipopulluara me pacientë të plagosur dhe të vdekur, ndërsa protestat masive antiqeveritare vazhdojnë.

Një mjek në Teheran raportoi për “të shtëna direkte në kokat dhe zemrat e të rinjve”, ndërsa një spital i specializuar në sëmundjet e syve ka shpallur gjendje krize për shkak të fluksit të pacientëve.

Sipas ‘BBC’, punonjësit mjekësorë thanë se shumë të plagosur kishin lëndime nga municione të vërteta dhe fishekë. Një punonjës spitali në Teheran përshkroi situatën si “tmerrësisht të mbingarkuar”, duke treguar se trupat shpesh vendoseshin njëri mbi tjetrin në morge dhe dhoma lutjesh, ndërsa shumica e viktimave ishin të rinj, mes moshës 20–25 vjeç.

BBC Persian konfirmoi se 70 trupa u sollën në Spitalin Poursina në Rasht, ku familjarët u detyruan të paguanin rreth 7,000 dollarë për t’i marrë për varrim. Në Spitalin Farabi në Teheran, qendra kryesore për sëmundjet e syve, shërbimet e urgjencës u mbingarkuan dhe operacionet jo-urgjente u pezulluan.

Një mjek nga Kashani raportoi se shumë protestues ishin plagosur në sy, ndërsa një tjetër nga Shirazi tha se spitali nuk kishte kirurgë të mjaftueshëm për të përballuar fluksin. Pamjet që dalin nga vendi tregojnë protestues duke djegur automjete dhe ndërtesa qeveritare, ndërsa ushtria iraniane ka njoftuar se do t’u bashkohet forcave të sigurisë për të mbrojtur pronën publike.

Protestat filluan më 28 dhjetor për shkak të vështirësive ekonomike dhe shtrëngesës së kostos së jetesës, por shpejt morën një karakter politik. Sipas organizatave të të drejtave të njeriut, të paktën 51 protestues, përfshirë nëntë fëmijë, dhe 21 pjesëtarë të forcave të sigurisë janë vrarë, ndërsa mbi 2,300 persona janë arrestuar. Policia iraniane mohoi vdekjet në Teheran, por pranoi se 26 ndërtesa iu vu flaka.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB