Situata e reshjeve në qarkun e Durrësit, 848 banorë të evakuuar gjithsej, 2800 ha në Sukth ende të përmbytura
Policia Kombëtare spanjolle ka arrestuar dy shtetas shqiptarë në provincën Cádiz, pasi i kapi duke ruajtur rreth një ton kanabis, të armatosur me armë lufte.
Sipas burimeve nga hetimi, të arrestuarit mbanin pushkë automatike të tipit Kallashnikov (AK-47) dhe ndodheshin në një banesë në zonën Pelayo, në Algeciras. Droga kishte mbërritur në Cádiz përmes plazheve të Algecirasit dhe Tarifës, me anije të përdorura nga rrjetet e trafikut të drogës.
Operacioni policor ishte rezultat i një hetimi paraprak, i cili çoi në identifikimin e një prone të përdorur nga organizata kriminale si depo ruajtjeje, e njohur në zhargonin policor si “çerdhe”, ku fshihen dhe ruhen sasi të mëdha lëndësh narkotike.
Gjatë ndërhyrjes, agjentët arrestuan dy shtetas shqiptarë, të ngarkuar me ruajtjen e drogës. Ata kishin në posedim tre pushkë automatike Kallashnikov, të mbushura, në gjendje të plotë funksionale dhe të gatshme për përdorim të menjëhershëm.
Të paraburgosurit u paraqitën para Gjykatës së Detyrës në Algeciras mëngjesin e 9 dhjetorit, ku u vendos masa e sigurisë “arrest me burg”.
Policia e cilëson përdorimin e këtij lloji armatimi nga organizatat e trafikut të drogës si “veçanërisht shqetësues” në zonën e Campo de Gibraltarit, e cila konsiderohet strategjike për rrugët ndërkombëtare të trafikut të drogës.
Sipas autoriteteve, muajt e fundit është vërejtur një rritje e dhunës dhe e përdorimit të armëve të zjarrit nga këto rrjete kriminale, si për t’u mbrojtur nga operacionet policore, ashtu edhe nga grupe rivale. Kjo tregon një nivel gjithnjë e më të lartë specializimi, kapacitet operacional dhe shtrirje ndërkombëtare të organizatave kriminale, duke rritur ndjeshëm rrezikun për sigurinë publike dhe për jetën e efektivëve të rendit.
Top Channel