Rusia godet Ukrainën me raketë balistike Oreshnik, 4 viktima dhe 19 të plagosur në Kiev

09/01/2026 07:33

Të paktën 4 persona u vranë dhe 19 të tjerë u plagosën në sulmet ajrore ruse në Kiev gjatë natës, sipas përditësimit të fundit nga kryetari i bashkisë së kryeqytetit ukrainas.

Moska përdori raketën balistike Oreshnik. Kryebashkiaku Klitschko tha se dronët rus goditën katër lagje të Kievit, duke shkaktuar dëme të mëdha në disa ndërtesa.

Ai sqaroi se midis të vdekurve ishte një shpëtimtar që nxitoi të ofronte ndihmën e parë banorëve të një pallati apartamentesh që u godit nga dronë vetëm pak minuta larg. Katër kolegë të tjerë u plagosën në të njëjtin sulm.


Kryebashkiaku i Kievit tha gjithashtu se sulmet ajrore kishin dëmtuar infrastrukturën në kryeqytet, duke shkaktuar ndërprerje të furnizimit me ujë në disa lagje.

Nga ana e tij, kreu i administratës ushtarake të kryeqytetit, Timur Tkachenko, raportoi nëpërmjet Telegram se një dron rus shkaktoi një zjarr në një qendër tregtare, ndërsa një tjetër u rrëzua jashtë një qendre mjekësore.

Infrastruktura në qytetin perëndimor ukrainas të Lvivit u shënjestrua gjithashtu nga një sulm me raketa ruse gjatë natës, siç u njoftua nga kryetari i bashkisë Andriy Sandovy dhe guvernatori rajonal Maksym Kozhitsky në postimet në platformën Telegram. Mediat ukrainase spekulojnë se mund të ketë qenë një sulm me Oreshnik, një lloj i ri rakete hipersonike e aftë të mbajë një kokë bërthamore.

Guvernatori rajonal Kozytsky tha se ekspertët kishin nxituar në zonat e prekura, ndërsa kryebashkiaku Sandovy theksoi se u takon ekspertëve të vendosin nëse një raketë Oreshnik është përdorur në sulm.

Herën e parë që një raketë e këtij lloji u qëllua drejt Ukrainës ishte në një sulm rus në qytetin lindor të Dnipros në nëntor 2024.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB