“Pse nuk shpallet gjendja e jashtëzakonshme?”/ Rama me Emergjencat Civile: Shiu nuk ndalet me shpifje, lumenjtë nuk kthehen në shtrat me protesta

09/01/2026 12:17

Kryeministri Edi Rama mblodhi Komitetin e Emergjencave Civile për të adresuar situatën e krijuar nga përmbytjet e ditëve të fundit, si pasojë e reshjeve intensive të shiut.

Kreu i ekzekutivit tha se kjo situatë nuk ka prekur vetëm Shqipërinë, por edhe rajonin e më gjerë. ‘Shiu nuk ndalet me shpifje’- tha Rama duke iu përgjigjur akuzave të opozitës, ‘por duke qëndruar pranë qytetarëve’ .

“E di që fjala durim mund t’i tingëllojë shumëkujt edhe si  cingërisje e tepërt veshësh, por durimi është i domosdoshëm në kushtet kur më tepër çka po përjetojmë, nuk është thjesht mot i keq. Shiu nuk ndalet me shpifje, si ato që nuk punojnë hidrovoret, lumenjtë nuk kthehen në shtrat me protesta si ato që s’kanë lidhje fare me arsyen pse përmbyten shtëpitë e ndërtuara në territore shumë vulnerabël; retë nuk shpërndahen me slogane si ai slogani kronik i çdo gjendjeje atmosferike të rënduar të shpallet gjendja e jashtëzakonshme. Këto janë  reagime që ushqejnë nervozizëm, jo zgjidhje, ushqejnë ndarje , jo ndihmë; ushqejnë çorodi, jo siguri.

Durimi është i domosdoshëm. Reagimet ushqejmë nervozizëm, në një situatë si kjo nuk kërkohen fajtorë imagjinarë, por ndihmohen njerëzit realë. Nuk kanë nevojë për shpifje dhe teori, por mbështetje dhe bashkim forcash. Kjo situatë nuk ka prekur vetëm Shqipërinë, por nga Italia në Greqi, Mali i Zi e Kosovë, e deri në Turqi.

I njëjti i ftohtë, i njëjti shi, kanë krijuar të njëjtën situatë  të rënduar. Ndryshimi klimatik nuk do të thotë vetëm verë e nxehtë, por edhe mot më ekstrem. Më shumë thatësira dhe më shumë zjarre e më shumë përmbytje, është klima ku jetojmë. Kur vazhdojmë hedhim plehrat e kur i vëmë zjarrin pyjeve, pasojat rriten më shumë. Deri tani janë 1587 banesa me praninë e ujit. Janë evakuar 51 familje. Sasia e reshjeve ka qenë e jashtëzakonshme, më shumë sesa sasia mesatare që bie gjatë gjithë muajit”-u shpreh Rama.

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB