PDK kërkoi shpalljen të pavlefshme të 20 mijë votave nga diaspora, PZAP e hedh poshtë: Ankesa ka kaluar afatin ligjor

09/01/2026 20:26

Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) njoftoi se e ka hedhur poshtë kërkesën e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) për shfuqizimin e rreth 20.000 votave të dërguara në vend përmes postës nga diaspora për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit.

PDK e cila doli e dyta në zgjedhje kërkoi nga PZAP-ja t’i shpallë të pavlefshme votat në fjalë, duke thënë se ato ishin dërguar me postë nga jashtë vendit me vonesë, pas afatit të lejuar ligjor.

Në një njoftim të premten, PZAP-ja tha se partia e udhëhequr nga Bedri Hamza bëri ankesë pas afatit të paraparë ligjor prej 48 orësh për paraqitjen e ankesës, prandaj paneli nuk do ta shqyrtojë atë.

“Paneli ka vlerësuar se ankesa është parashtruar pas afatit ligjor për paraqitjen e ankesës, sipas nenit 119, paragrafi 1 të LZP-së, ku afati për dorëzimin e ankesës është 48 orë nga ndodhja e shkeljes së supozuar, dhe se ankesa është dorëzuar në PZAP më datë 08.01.2026, ndërsa shkelja e supozuar sipas ankuesit ka ndodhur me datën 02.01.2026 dhe 05.01.2026”, thuhet në njoftim.

PDK-ja u ankua se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) i pranoi rreth 20.000 fletëvotime më 2 dhe 5 janar, pra disa ditë pas afatit të lejuar ligjor për pranimin e votave të dërguara me postë nga jashtë vendit për zgjedhjet e 28 dhjetorit.

Sipas Ligjit të Kosovës për Zgjedhjet, fletëvotimet e dërguara me postë nga jashtë vendit mund të pranohen nga KQZ-ja më së largu deri të nesërmen e ditës së zgjedhjeve në orën 16:00.

Ditë më parë, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, tregoi për Radion Evropa e Lirë se komisioni – i cili mbikëqyr procesin zgjedhor në vend – i kishte pranuar rreth 20.000 fletëvotime të dërguara me postë nga mërgata më 2 dhe 5 janar.

Rreth 51.000 qytetarë të Kosovës në mërgatë ishin regjistruar për të votuar përmes postës në këto zgjedhje.

Vetëvendosje e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, i fitoi shumicën dërrmuese të votave me postë, 33.556, duke e lënë PDK-në mbrapa me vetëm 4.611 vota të fituara.

Para fillimit të numërimit të votave me postë, PDK-ja ishte në rrugë për t’i fituar 23 ulëse në Kuvendin e Kosovës, por tani ajo ka humbur një ulëse.

Vetëvendosje, ndërkohë, ka fituar 57 ulëse dhe Kurti pritet ta themelojë qeverinë e re të vendit sapo të verifikohen rezultatet e zgjedhjeve.

KQZ-ja njoftoi të premten se ka përfunduar numërimi i të gjitha votave dhe tani ajo pritet ta shpallë rezultatin përfundimtar./REL

Top Channel

DIGITALB DIGITALB