Ndahen Çmimet Kombëtare të Letërsisë, vepra më e mirë “Epope Intime” e shkrimtares në migrim Enit Karafili

09/01/2026 15:47

Qendra e Librit dhe Leximit zhvilloi sot ceremoninë e shpalljes së Çmimeve Kombëtare të Letërsisë për vitin 2024, që në fakt duhej të zhvillohej vitin e kaluar.

Juria e kryesuar nga Besnik Mustafaj, përzgjodhi një shkrimtare të re si fituesen e Çmimit të Madh të Letërsisë Enit Karafilin, që karrierën e saj letrare e ka zhvilluar në Zvicër. Romani i saj “Epope Intime” u vlerësua një vepër me forcë të rrallë artistike, e cila ndërton një vizion të pasur letrar mbi përkatësinë identitare, në kapërcyell të zhvendosjeve të trazuara migratore të shqiptarëve jashtë atdheut.

Kam dashur të përdor një nivel bashkëkohor të shqipes, të kultivuar, por nga ana tjetër jo të rëndë, jo ekskluziv, jo elitar. Nga ana e përmbajtjes, mendoj që fëmijët e kushërinjve të mi mund të shohin pak a shumë si ka qenë jeta e brezit tim, cilët kanë qenë personazhet kryesore“, u shpreh shkrimtarja Enit Karafili.

Marla dhe Marini largohen nga atdheu në 1995, kështu nis epopeja intime e autores që synon t’u tregojë Shqipërinë pikërisht të rinjve emigrantë.

Më duket sikur e ndiej veten të integruar në Shqipërinë që kam lënë pas para 30 vitesh. Më jep energji për të vazhduar krijimtarinë time“, tha Karafili.

Romeo Çollaku mori Çmimin e Madh të Përkthimit për “Retorika” e Aristotelit, një vepër madhore referenciale në historinë botërore të mendimit, të realizuar me përpikëri dhe saktësi të lartë terminologjike, sipas jurisë.

Ndërsa “Krijimi letrar në proces” i Anila Mullahit u vlerësua vepra më e mirë studimore, për analizën bërë romaneve të Dritëro Agollit, fryt i hulumtimeve të thelluara dhe sistematike mbi dorëshkrimet, letërkëmbimet dhe ditarët e autorit.

Kjo monografi është një studim gjenetik që tenton të bëjë një analizë të procesit krijues të shkrimtarit Dritëro Agolli. Merret me procesin dinamik tekstual“, u shpreh Mullahi.

Fituesit e Çmimeve Kombëtare të Letërsisë vlerësohen me 200 mijë lekë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB