Ushtria siriane bombardon disa lagje të Alepos, i bën thirrje luftëtarëve kurd të dorëzohen
Një javë pas operacionit amerikan që çoi në kapjen e presidentit venezuelian, Nikolas Maduro, disa detaje rreth inteligjencës dhe planifikimit po dalin në dritë, por shumë mistere mbeten të pazgjidhura.
Operacioni, që kërkoi muaj të tërë përgatitje, përfshiu një ekip të fshehtë të CIA-s që vepronte pa mbulesë diplomatike në Venezuelë, sepse SHBA nuk kishte më ambasada aty dhe ekipi veproi në një “zonë të ndaluar” për inteligjencën amerikane.
Detyra e tyre ishte të identifikonin objektiva dhe të rekrutonin bashkëpunëtorë brenda rrethit të ngushtë të Maduros. Një burim qeveritar i afërt me presidentin siguronte informacione vendimtare për lëvizjet e tij, por identiteti i tij mbetet sekret.
Informacioni i mbledhur nga terreni u kombinua me hartëzime, imazhe satelitore dhe teknologji të avancuar. Sipas David Fitzgerald , ish-shef i operacioneve të CIA-s për Amerikën Latine, “Gjithçka funksionoi si orë zvicerane. Nuk janë taktikat ushtarake ato që drejtojnë operacionin, por inteligjenca.”
Rreth 150 mjete ajrore u përfshinë në mision, duke përfshirë helikopterë që fluturuan shumë ulët dhe dronë “stealth”. Një nga misteret kryesore mbetet mënyra se si SHBA-ja arriti të fikë energjinë elektrike në Karakas, ndërsa Komanda Kibernetike dhe Hapësinore amerikane mundën të krijonin një “korridor” satelitor për hyrjen e forcave speciale.
Në kompleksin “Fuerte Tiuna”, Maduro u kap teksa përpiqej të mbyllej në një dhomë të blinduar. Forcat amerikane kishin mjete shpërthyese dhe pishtarë, por kapja e tij tregoi njohuri të detajuara të strukturës së kompleksit. Dështimi i mbrojtjes ajrore kineze dhe ruse, si dhe dobësia e rezistencës së trupave kubaneze, ngritën dyshime se disa elementë të regjimit mund ta kenë lehtësuar operacionin. Maduro ishte i fiksuar që të mbrohej gjithmonë nga roje kubaneze, sepse sipas tij ata kishin qenë një garanci për ish-diktatorin Fidel Kastro për dekada, por me sa duket kjo nuk i shërbeu për asgjë.
Para misionit, CIA kishte vlerësuar pasojat e mundshme të largimit të Maduros, duke konkluduar se bashkëpunimi me pjesë të regjimit ekzistues ofronte stabilitet më të madh sesa vendosja e opozitës në mërgim të drejtuar nga Machado. Supozohet edhe se kontaktet e fshehta me zëv.presidenten Delcy Rodriguez mund të kenë qenë kyçe për planifikimin dhe suksesin e operacionit.
Top Channel