Arrestohet në flagrancë 21-vjeçari shqiptar në Itali, u kap teksa po i shiste kokainë një 46-vjeçari në një pikë karburanti
Fiks Fare denoncoi tentativat se si po tjetërsohet Shtëpia e Pushimit të Ushtarakëve në Pogradec.
Një nga pronarët e truallit tha për emisionin investigativ se ministria e Mbrojtjes dhe Shtabi i Përgjithshëm tentuan që t’a privatizonin, por e anuluan kur morën vesh që toka kishte pronar. Më pas e kanë dhënë me qira, ku qiramarrësi ka shtuar sipërfaqen e ndërtimit që ka marrë me qira. Tani synon të gjithë godinën dhe paguan 260 euro në muaj.
Fiksi udhëton në qytetin e Pogradecit, në brendësi të Shtëpisë së Pushimit të Ushtarakëve, një godinë e vjetër, e ndodhur në pjesën më të bukur të qytetit, shumë afër liqenit. Një nga pronarët e truallit thotë se dy familjeve iu është njohur trualli nga Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, ndërkohë që vendimin e kanë dërguar në kadastër. Ata kanë regjistruar këtë vendim dhe Kadastra thotë se “u njihet e drejta e parablerjes” në rast privatizimi të objektit në emër të familjeve Blaceri dhe Berberi.
Ai tregon se procesi i privatizimit u hap në vitin 2017, janë bërë procedura në Ministrinë e Mbrojtjes, asaj të Ekonomisë apo edhe nga Prefekti i Korçës. Denoncuesi Arben Berberi thotë se fillimisht prona u nda në dy numra pasurie dhe këto institucione bënë një sërë veprimesh për t’a privatizuar, por asnjëherë nuk lajmëruan familjet. “Po tentonin që
ta tjetërsonin. Nuk e di kujt ia kishin premtuar. U hap ankandi dhe shkoi te Prefekti i Korçës. Prefekti i atëhershëm në vitin 2017 ishte një ushtarak dhe mësoi se trualli kishte pronar. S’ua miratoi dhe lajmëroi ministrinë se trualli ka pronar” tha ai.
Më tej shtoi se, kur e mësuan se trualli kishte pronar dhe ata gëzonim të drejtën e parablerjes, ministria bëri procedura dhe e anuloi ankandin. “Ne e kemi ankimuar në Gjykatën Administrative këtë anulim dhe ende është në shqyrtim në Apelin Administrativ të Tiranës” thotë Arbeni. Ndërkohë, më tej pohon se pasi dështoi privatizimi, sërish me
një vendim tinzar dhe pa lajmëruar familjet, Ministria e Mbrojtjes dhe Shtabi i Përgjithshëm e kanë dhënë me qira një personi me banim në Durrës.
Prona është dhënë me qira në datën 28 janar 2025, me një afat 1 vjeçar. Qiramarrësi është Gani Seli, i cili ka marrë 150 m2 ambient dhe 40 m2 sipërfaqe funksionale oborr. Çmimi i qirasë është 265 mijë lekë të vjetra në muaj, ose vetë 260 euro. “Jo me këtë çmim, por dyfishin e merrnim ne familjarët vetëm për t’a mirëmbajtur” thotë Arbeni, duke shtuar se
megjithëse Ganiu ka marrë 150 metër godinë, ai ka bërë punime në të gjithë fasadën dhe në të gjithë oborrin, pavarësisht se kishte vetëm 40 m2 oborr me qira. Ka shtruar pllaka dhe ka shtruar çakëll në të gjithë godinën, teksa synon që t’a marrë të gjithë.
Grupi i Fiks Fare shkoi brenda ambienteve të Shtëpisë së Pushimit, teksa xhirojnë edhe ambientet. Arbeni thotë se, krahas fasadës e gjithë godina është lënë gërmadhë ku synohet tjetërsimi. Ndërkohë, gjatë xhirimit u afrohet një ushtar, ku Fiksi i kërkon se kush i ka bërë punimet. Ai thotë se është një person, madje na jep edhe emrin dhe një numër
telefoni. E marrim dhe personi përgjigjet se “s’është administrator dhe pronar, e ka ai në letra”.
Fiksi xhiron se rreth e qark të gjithë godinës janë bërë punime dhe është shtruar oborri, me qëllim bërjen e një parkimi. Është hedhur çakëll. Para godinës është shtruar një sipërfaqe e madhe me pllaka, ku nga 40 m2 që e kishte privati, ai ka shtruar një sipërfaqe nga 200 deri 300 metra. Ndërkohë, privati mori vetëm 150 m2 godinë, teksa ai ka bërë punime në të gjithë fasadën.
Gjatë filmimeve afrohet edhe drejtori i Shtëpisë së Pushimit të Ushtarakëve, i cili kërkon që të mos filmojnë se “është zonë ushtarake”. Fiksi i thotë se ambienti është dhënë me qira, është privat dhe ky privati ka bërë punime më shumë sesa ka në kontratë. Drejtori thotë se “s’di gjë, letrat i kanë ata andej nga Shtabi”. E pyesin se ai si drejtor s’mund t’i
konstatojë këto punime dhe t’i lajmërojë. “Ata erdhën vetë, e panë dhe s’thanë gjë. Di unë çfarë kanë bërë ata andej lart. Unë jam vetëm drejtori, ata të Shtabit i bëjnë të gjitha” thotë ai.
Më tej pohon se denoncuesi i ka letrat, e ka marrë truallin dhe se Shtabi donte ta privatizonte. “E anuluan pastaj, se di pse. Ndoshta ngaqë ishin këta pronar trualli” thotë ai.
Fiksi shkon te Bashkia e Pogradecit, për t’i pyetur në lidhje me punimet. Bashkia ktheu përgjigje se në datën 10 shkurt 2025 “subjekti ‘Shtëpia e Pushimit të Ushtarakëve’, reparti 6630 kërkon nga Bashkia e Pogradecit leje për kryerje punimesh, lyerje fasade, sistemim oborri”.
Por, çuditërisht firmëtari dhe kërkuesi është qiramarrësi Gani Seli, i cili shkruan se “subjekti Shtëpia e Pushimit të Ushtarakëve”. Z. Seli nuk është përfaqësues i ushtarakëve, ai thjeshtë është një qiramarrës, është kontraktor dhe nuk ka dorëzuar në Bashkinë e Pogradecit planimetri punimesh. Madje, as emrin e subjektit që duhet të kryejë këto punime. Fiksi ka mësuar se z. Seli ka paraqitur në bashki vetëm kontratën e qirasë të marrë në datë 28 janar 2025, pa asnjë dokument tjetër.
Dy ditë më vonë, në datë 14 shkurt 2025, Bashkia e Pogradecit i ka kthyer një përgjigje “Shtëpisë së Pushimit të Ushtarakëve”, por kërkues siç e vërtetoi Fiksi ishte vetëm qiramarrësi dhe jo pronari i godinës. Madje, në kontratën e qirasë Seli kishte vetëm 150 m2 godinë dhe 40 metra oborr. Bashkia thotë se këto punime nuk kanë nevojë për leje
ndërtimi. Megjithatë, nga ajo që konstatoi Fiksi është se, qiramarrësi ka tejkaluar lejen e marrë nga bashkia. Ai ka bërë punime më shumë sesa parashikohet në kontratën e qirasë. Madje, ai merr atributet e ushtarakut dhe bën kërkesa në emër të “Shtëpisë së Pushimit të Ushtarakëve”, dhe jo si subjekt privat.
Top Channel