Groenlanda duhet të zhvillojë bisedime të drejtpërdrejta me Qeverinë e Shteteve të Bashkuara pa përfshirjen e Danimarkës, ka deklaruar lideri i opozitës në ishullin danez, Pele Broberg.
Ishulli arktik është duke shqyrtuar se si t’i përgjigjet përpjekjeve të presidentit Donald Trump që Shtetet e Bashkuara ta përvetësojnë ishullin.
Trump i ka shpeshtuar kërcënimet kohët e fundit për ta bërë Groenlandën pjesë të Amerikës, duke e ringjallur synimin që e kishte caktuar qysh në vitin 2019, gjatë mandatit të tij të parë.
Groenlanda ndodhet në një pozicion strategjik midis Evropës dhe Amerikës së Veriut. Vendndodhja e bën atë pikë tejet të rëndësishme për sistemin amerikan të mbrojtjes kundër raketave balistike.
Burimet e saj të pasura minerare përputhen gjithashtu me qëllimin e Uashingtonit për ta zvogëluar varësinë nga Kina.
Ishulli është territor autonom i Mbretërisë së Danimarkës. Ai i ka Parlamentin dhe Qeverinë e vet, por Kopenhaga gëzon autoritetin mbi punët e jashtme dhe për mbrojtjen.
“Ne i bëjmë thirrje Qeverinë sonë (grenlandeze) që realisht të zhvillojë dialog me Qeverinë e SHBA-së pa Danimarkën”, tha për Reuters Broberg, lideri i Naleraq-ut, partisë më të madhe opozitare dhe zëri politik më i spikatur për pavarësinë e Groenlandës.
“Sepse Danimarka po i armiqëson si Groenlandën ashtu edhe SHBA-në me ndërmjetësimin e saj”, shtoi ai.
Naleraq, e cila mbështet fuqishëm pavarësimin e shpejtë dhe të plotë të ishullit, dyfishoi numrin e vendeve të saj në tetë në zgjedhjet e vitit të kaluar, duke fituar 25 për qind të votave në një vend me vetëm 57.000 banorë.
Megjithëse e përjashtuar nga koalicioni qeverisës, partia ka thënë se dëshiron marrëveshje për mbrojtjen me Uashingtonin dhe mund ta kërkojë një marrëveshje “asociimi të lirë”, sipas së cilës, Groenlanda do të merrte mbështetje dhe mbrojtje nga SHBA-ja në këmbim të të drejtave ushtarake, pa u bërë territor amerikan.
Të gjitha partitë në Groenlandë e duan pavarësinë, por kanë dallime për mënyrën dhe kohën se si ajo duhet të arrihet.
Ministrja e Jashtme e Groenlandës, Vivian Motzfeldt, tha se Groenlanda nuk mund të zhvillojë bisedime të drejtpërdrejta me SHBA-në pa Danimarkën, sepse ligjërisht nuk i lejohet ta bëjë këtë.
“Ne duhet ta respektojmë ligjin dhe kemi rregulla për mënyrën se si zgjidhen çështjet brenda Mbretërisë”, i tha ajo gazetës së përditshme Sermitsiaq të mërkurën.
Ndërkohë, javën e ardhshme pritet të zhvillohet një takim midis ministrave të jashtëm të Danimarkës dhe Groenlandës dhe sekretarit amerikan të Shtetit, Marco Rubio, për të adresuar tensionet midis aleatëve të NATO-s.
Motzfeldt tha se është e rëndësishme që marrëdhëniet e Groenlandës me Uashingtonin në vihen në binarë të qëndrueshëm.
“Shpresa ime më e madhe është që takimi të çojë në normalizimin e marrëdhënieve tona” i tha ajo Sermitsiaqit.
Zyrtarët e lartë të administratës Trump duket se kanë këndvështrime të ndryshme mbi mënyrën se si të arrihen synimet e tyre.
Sekretari i Shtetit Rubio duket se nuk parapëlqen ndërhyrjen ushtarake, sipas ministrit të Jashtëm të Francës. Por, të tjerë thonë se kjo mundësi është ende në tryezë.
“Ne do të sigurohemi që t’i mbrojmë interesat e Amerikës”, tha nënpresidenti i SHBA-së, JD Vance, për Fox News në një intervistë të transmetuar të mërkurën.
“Dhe, mendoj se presidenti është i gatshëm të shkojë aq larg sa duhet për t’u siguruar që kjo të ndodhë”, shtoi ai./REL
Top Channel