Lirimi i të burgosurve politikë, Trump njofton anulimin e sulmit të dytë në Venezuelë: Qeveria ka bërë një gjest të mençur
Një hetim gjyqësor ka zbuluar se një gabim i rëndë policor bëri që familja e gabuar të njoftohej për vdekjen e djalit të tyre adoleshent, pasi në vendngjarje u ngatërruan dokumentet e identifikimit.
Joshua Johnson, 18 vjeç, humbi jetën tragjikisht në një aksident në Rotherham, South Yorkshire, më 13 dhjetor, së bashku me Summer Louise Scott, 17 vjeç. Megjithatë, Policia e Yorkshire-it të Jugut raportoi fillimisht gabimisht se viktima ishte Trevor Wynn, 17 vjeç, i cili në fakt ndodhej i shtruar në spital jashtë rrezikut për jetën.
Si pasojë e këtij gabimi, familjet e dy adoleshentëve u informuan në mënyrë të kundërt, prindërit e Trevorit besuan për 22 ditë se djali i tyre kishte vdekur, ndërsa familja e Joshuas shpresonte se ai do të shërohej në spital.
E vërteta doli në dritë vetëm pasi u kryen verifikime të mëtejshme, përfshirë teste mjeko-ligjore, të cilat konfirmuan se Trevor Wynn ishte pacienti që po merrte trajtim në spital, ndërsa Joshua Johnson ishte adoleshenti që kishte humbur jetën.
Sipas mediave, gabimi bëri që familja e Trevorit të kalonte festat e Krishtlindjeve në zi, ndërsa të afërmit e Joshuas kaluan javë të tëra pranë shtratit të spitalit, duke besuar se ai ishte në koma.
Hetimi nxori në pah se ngatërresa ndodhi për shkak të sendeve personale të gjetura në vendngjarje. Kryeinspektori i detektivëve Andy Knowles shpjegoi se një telefon i gjetur në një kuti përmbante patentën e drejtimit të Joshua Johnson, ndërsa një tjetër telefon dhe një kartë bankare në të njëjtën zonë mbanin emrin e Trevor Wynn.
Një oficer përdori dokumentet e identitetit për të kontaktuar familjen e Trevorit dhe, më pas, u bind gabimisht se trupi në morg ishte ai i tij, pas krahasimeve vizuale dhe përshkrimeve të dhëna. Ndërkohë, një oficer tjetër që shoqëroi të mbijetuarin në ambulancë u informua se ai ishte Joshua dhe e konfirmoi këtë duke krahasuar fotografinë e patentës me pacientin në spital.
Familja e Joshuas qëndroi për gati tre javë në spital, duke besuar se ai ishte personi në koma. Vetëm kur babai i tij ngriti shqetësime pasi Trevor u zgjua nga qetësimi, u zbuluan dyshimet për identitetin e gabuar.
Testet e kryera nga odontologu mjeko-ligjor, Dr. Roland Kouble, konfirmuan se Joshua Johnson ishte viktima e ndjerë. Mjekja ligjore Nicola Mundy deklaroi se çështjet e identifikimit janë tashmë plotësisht të zgjidhura dhe i shprehu ngushëllime familjes së Joshuas për humbjen tragjike.
Seanca e plotë e hetimit gjyqësor është shtyrë për një datë të mëvonshme. Ndërkohë, Policia e Yorkshire-it të Jugut e ka referuar çështjen pranë Zyrës së Pavarur për Sjelljen e Policisë (IOPC), e cila ka nisur një hetim të pavarur.
Drejtoresha e IOPC-së, Emily Barry, tha se pasojat për familjet janë “të paimagjinueshme” dhe se është thelbësore të kuptohet saktësisht se si ndodhi një gabim kaq serioz.
Duke i bërë homazh Joshuas, familja e tij e përshkroi atë si një “gjigant të dashur dhe të butë”, duke theksuar se dhimbja dhe përjetimi i këtyre javëve kanë qenë të pashpjegueshme.
Top Channel