Nga rrjeti i prostitucionit te bumi i pasurive të paluajtshme, ulje-ngritjet e forta të pronarëve të lokalit në Crans-Montana ku humbën jetën mbi 40 të rinj

08/01/2026 14:01

Muajt e parë në Zvicër nuk kishte qenë nga më të mirat. Edhe pse gjyqi u zhvillua në Francë, në Annecy, akuzat ndaj Jacques Moretti-t kishin të bënin me Gjenevën.

Në vitin 2008, pronari i Constellation në Crans-Montana, diskotekës së përfshirë në tragjedinë e Vitit të Ri, ishte dënuar me 12 muaj burg për shfrytëzim prostitucioni në Zvicër: një qendër masazhesh që dyshohet se e kishte menaxhuar në brigjet e lumit Arve.

Operacioni nisi pas një informacioni të ardhur në polici, sipas të cilit vajza të reja rekrutoheshin në Francë për të punuar në ato shtretër masazhi. Duhet thënë se Moretti i ka mohuar akuzat, sipas mënyrës së tij: “E kam menaxhuar lokalin vetëm për tre muaj”.
Avokatja e tij, Annick Hingrez, kishte kërkuar pafajësinë duke argumentuar se gratë punonin pa detyrim dhe se nuk mund të dënohej një i pandehur për një fakt të kryer në Zvicër, ku prostitucioni nuk konsiderohet vepër penale. Sidoqoftë, falë dënimit me kusht, ai vuajti vetëm katër vjet burg.

Rinisja

Moretti, i cili kishte pasur edhe probleme të tjera me drejtësinë franceze (shtatë procedime, pa asnjë dënim), e la pas këtë përvojë të trazuar. Por ndoshta ajo i shërbeu për të kuptuar se investimi në atmosfera sensuale mund ta bëjë një lokal shumë të suksesshëm. Siç ndodhte shpesh në Constellation: mbrëmje me maska me njoftime në stilin Eyes Wide Shut, netë për Shën Valentin me byzylykë me ngjyra sipas statusit personal (në çift, beqar “i thjeshtë” ose “në situata emergjente”).
Në bodrum kishte edhe një hapësirë të rezervuar, “Bar Clandestin”, me neona blu dhe një shpellë me ujëvarë. Edhe kjo ndoshta kontribuoi në suksesin e bar-diskotekës së Crans-Montana-s, të cilën Jacques, së bashku me bashkëshorten Jessica, të dy nën hetim nga prokuroria për vrasje të shumëfishtë, plagosje dhe zjarrvënie nga pakujdesia, e morën në menaxhim në vitin 2015, për ta blerë më pas ndërtesën shtatë vjet më vonë për mbi 1.5 milionë franga zvicerane.

Lokale dhe shtëpi

Ngjitja ekonomike e çiftit me origjinë nga Korsika gjatë dhjetë viteve të fundit duket e pandalshme. Në vitin 2020 hapin në Crans një lokal të dytë, duke e shndërruar një brasserie në “Senso”, më glamurozin, i njohur për hamburgerët cilësorë. Në vitin 2023 vjen radha e një restoranti tjetër, Le Vieux Chalet, që ofron kuzhinë të nivelit të lartë korsikan në Lens, shumë pranë Crans-it. Një hetim i medias zvicerane insideparadeplatz.ch rindërtoi edhe blerjen në vitin 2020 të një pasurie në Lens: 80 metra katrorë banesë, 112 metra katrorë kopsht dhe 106 metra katrorë sipërfaqe ndërtimore shtesë.
Në vitin 2024 vjen një tjetër blerje, po në Lens: sipërfaqe totale 501 metra katrorë, 147 metra katrorë kopsht dhe 126 metra katrorë hapësirë tjetër e gjelbër. Lokale, prona dhe para, gjithnjë e më shumë. Jessica i ka investuar një pjesë në sektorin e pasurive të paluajtshme në Rivierën Franceze, ku ka studiuar mes Antibes dhe Monakos: menaxhim apartamentesh, fillimisht edhe në Paris, më pas i përqendruar në Kanë, në një pallat elegant pranë qendrës.

Dyshimet

Pra, një aktivitet marramendës që tani disa, edhe mes kolegëve restauratorë, pyesin nëse mund të jetë vetëm fryt i një menaxhimi të shkëlqyer ekonomik. Gazetarët e insideparadeplatz.ch kanë shkuar më tej, duke rikujtuar një lajm që verën e kaluar kishte ngritur pikëpyetje: një delegacion i madh i Këshillit të Shtetit të Valais kishte bërë një udhëtim në Korsikë me varkë me vela. “Veprimtari institucionale, ekonomike dhe kulturore”, kishin shpjeguar këshilltarët. Tani gjithçka që lidhet me Korsikën është bërë e dyshimtë.
Jacques, në ishullin francez ku ka lindur, hapi lokalin e tij të parë në Bonifacio. Ata që e njohin kujtojnë se atje ishte mik me Jean-Pierre Valentini, biznesmen nga Corte, që jeton mes Zvicrës dhe Dubait, aktualisht në gjyq në Marsejë për pastrim parash dhe shoqatë kriminale. Çështja lidhet me të ashtuquajturën banda e Petit Bar-it, pjesë e krimit të organizuar korsikan.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB