Për Marc Marquez është momenti i Throttle Therapy apo thënë ndryshe ‘terapia e hapjes së gazit’. Në rrjetet sociale, piloti i Ducatit përdori këtë përkufizim ironik për të bërë të ditur kthimin në stërvitjet me motorë pas dëmtimit të rëndë të pësuar në shpatullën e djathtë gjatë Çmimit të Madh të Indonezisë me pilotin spanjoll që po intensifikon përgatitjet në kuadër të Botërorit të MotoGP për vitin 2026.

DËMTIMET E MARQUEZ-Rikthimi në motor është një hap i rëndësishëm para, por nuk është fundi i vuajtjeve për Marc Marquez. ‘Gjithnjë kam qenë një person që bashkëjeton me dhimbjet-tregon Marquez-por nëse fle në krahun e djathtë e di që do më dhembë. Për më tepër nëse zhvilloj aktivitete si të luaj padel apo të hedh gurë në lumë për 3 ditë, jam i ndërgjegjshëm që do të ndjej dhimbje. Kam një tolerancë të lartë dhe ky aspekt ishte i dobishëm në disa raste, por në rrethana të tjera me siguri më ka dëmtuar. Ndonjëherë mendoja se një dhimbje e tillë nuk ishte shumë e rëndë’. Më pas Marquez shtoi: ‘Çdo dëmtim parashikon 3 faza. Në fazën e parë ndihesh i shkatërruar, askush nuk mund të të ngushëllojë; këtë vit edhe pse e fitova titullin, kalova 3 javë në shtëpi i izoluar. Dhimbja të zemëron dhe e shfryn të gjithë inatin me të dashurit e tu. Pastaj është faza e dytë; të gjithë kërkojnë të më frenojnë. Momenti i fundit  ka të bëjë me durimin; do të doja të ngjitesha në motor edhe pse nuk do të mundja’.

Katalanasi më pas pranoi se i ka mësuar disa leksione. ‘Rrëzimet të mësojnë se cilat janë limitet  dhe të bëjnë të respektosh rrezikun. është një tabu, por kur shkon në shtëpi e kupton dëmin e pësuar-tha Marquez

MARQUEZ E VALENTINO-Pavarësisht dëmtimit të fundit në 2025, Marc Marquez arriti të barazojë Valentino Rossin për numrin e titujve botërorë, me 9 të tillë. Prej 10 vitesh spanjolli nuk ka asnjë lloj raporti me ‘Doktorin’ me Marquez që vendosi të mbyllë këtë argument. ‘Të jetosh me mëri është shumë e vështirë. Nuk dua që tifozët e mi të ushqehen me inate. Preferoj që ata të ruajnë energjitë për të më duartrokitur-shtoi Marquez-në rastin e dëmtimit tim ishte një tjetër pilot që më pengoi. Bëri një gabim, por askush nuk i bën me qëllim. Jemi gjithnjë në limite, por ndonjëherë njerëzit nuk e kuptojnë’

Një deklaratë kjo që i referohej kërkesës së bërë për fansat e tij pas kontaktit me Marco Bezzecchi në Indonezi

E ARDHMJA-Në fund, 9 herë kampioni i botës imagjinoi hapat e ardhshëm duke përfshirë edhe tërheqjen.

‘Gjëja më e vështirë për një sportist është të kuptojë se kur dhe si të ndalet. E di që do të tërhiqem për shkak të trupit tim-tha Marquez. Të jesh pilot është një profesion sa special aq edhe i rrezikshëm dhe Marquez e pranon. ‘Nuk do të më pëlqente që djali im në mënyre hipotetike të praktikojë këte sport-tha iberiku-jam shumë mbrojtës dhe mbiemri im nuk do ta ndihmonte. Njerëzit do thonin që ka arritur deri aty falë familjes. Më mirë një top futbolli, një raketë tenisi apo cdo gjë tjetër’.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB