Pas një periudhe të gjatë festash, me tryeza të mbushura plot, ku konsumimi i ushqimeve me yndyrna, ëmbëlsirave dhe akoolit është më i tepërt se zakonisht, është koha për një rikthim gradual në ushqyerjen e shëndetshme.
Javët e para të janarit konsiderohen sipas ekspertëve si periudha më e përshtatshme për t’iu rikthyer regjimit normal ushqimor, të cilët po ashtu këshillojnë se duhet të shmangen dietat ekstreme.
“Ditët e para të janarit këshillohen suprat, perimet në formë gjelle apo të ziera, në furrë, por jo të skuqura. Sa më pak të skuqura në këtë periudhë. Duhet të konsumojmë pesë vakte duke ngrënë pak dhe shpesh. Vitaminat minerale dhe proteina të mira bëjnë që të asorbojmë më pak kolesterol të keq dhe yndyrë”, u shpreh nutricionistja Arlinda Garuci.
Në shumë familje ende kanë mbetur ëmbëlsirat tradicionale të fundvitit si bakllavaja dhe kadaifi, që na shoqërojnë thuajse në çdo vakt. Sipas nutricionistes Garuci, nuk duhet ti përjashtojmë nga menuja, por duhet të konsumohen në masa të vogla.
“Bëjmë një dozë bomb sheqeri në fakt këto ditë por me masa të vogla, jemi gjithmonë tek masat dhe jo në çdo vakt kryesor, e lëmë për atë vaktin ku jemi mbledhur me miqtë, që mos të ndjehemi jashtë tryezës”, tha Garuci.
Ushqimi i shëndetshëm i kombinuar me aktivitetin fizik dhe ecjen në natyrë, ndihmojnë me rikthimin në rutinën e përditshme, pas periudhës festive.
Top Channel