Moti i keq/ Shkodra ‘mbahet’, rritje e nivelit të Drinit dhe Bunës nga shkarkimet e HEC Vau i Dejës

07/01/2026 19:11

Pavarësisht reshjeve të dendura të shiut dhe shkarkimeve nga hidrocentralet, Shkodra nuk po has probleme të mëdha nga vërshimi i ujërave. 

Në Obot raportohen me qindra hektarë toke të përmbytura por asnjë banesë me prezencë uji. Në rrugën kryesore evidentohet prani uji rreth 30–40 cm, çka lejon qarkullimin vetëm për mjete të larta ndërsa forcat e ushtrisë po ndihmojnë banorët për qarkullimin.

Për shkak të rreshqitjes së rrugës vazhdon të jetë i bllokuar aksi nga Prekali në drejtim të Dukagjinit. Në Njësinë Administrative Bushat, në Vau të Dejës, në fshatrat Mal i Jushit dhe Hoten, është raportuar se rreth 15 familje janë të bllokuara nga prania e ujit, por në ndihmë u kanë shkuar strukturat e emergjencës civile. Në Bashkinë Malësi e Madhe, sipas Shtabit të Emergjencave, situata paraqitet e qetë.

Në fshatin Kamicë, përroi i thatë është tërhequr nga rruga, duke lejuar qarkullimin normal të automjeteve.Në Bashkinë Pukë dhe Fushë-Arrëz raportohet vetëm për probleme me gurët në rrugë, si pasojë e reshjeve dhe erës.
Në hidrocentralet mbi lumin Drin, prurjet vazhdojnë të jenë të shumta.

Nga Fierzë nuk po shkarkohet ujë, ndërsa në Koman po shkarkohet me 1200 m³/s dhe në Vau të Dejës me 1600 m³/s.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB