“Nuk kam marrë ende një përgjigje”, Zelensky shpreh shqetësimin ndaj aleatëve evropianë: Nuk më kanë dhënë garanci për Ukrainën nëse…

07/01/2026 18:01

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, deklaroi se aleatët evropianë nuk i kanë dhënë ende garanci të forta se do ta mbrojnë Ukrainën në rast të arritjes së një marrëveshjeje të re me Rusinë.

“Po ua bëj këtë pyetje të gjithë partnerëve tanë dhe ende nuk kam marrë një përgjigje të qartë dhe të padiskutueshme”, deklaroi ai.

Komentet e Zelenskyt vijnë një ditë pasi Mbretëria e Bashkuar dhe Franca nënshkruan një deklaratë qëllimi për vendosjen e trupave në Ukrainë, në rast se arrihet një marrëveshje paqeje për t’i dhënë fund luftës me Rusinë.

Megjithatë, garancitë e plota të sigurisë nuk janë rënë ende dakord. Shtetet e Bashkuara, të cilat kanë udhëhequr përpjekjet diplomatike për t’i dhënë fund pushtimit, raportohet se nuk e kanë nënshkruar një angazhim të tillë gjatë bisedimeve të mbajtura në Paris të martën.

Pas këtyre bisedimeve, ku morën pjesë rreth 30 vende që përbëjnë të ashtuquajturin “Koalicioni i të Vullnetshmëve”, kryeministri britanik Keir Starmer tha se Mbretëria e Bashkuar dhe Franca do të “krijojnë qendra ushtarake në të gjithë Ukrainën” për të penguar një pushtim të ardhshëm. Ndërkohë, presidenti francez Emmanuel Macron deklaroi se mijëra trupa mund të vendosen në territorin ukrainas.

Aleatët propozuan gjithashtu që SHBA-të të merrnin rolin drejtues në monitorimin e një armëpushimi. Megjithatë, çështja kyçe e lëshimeve territoriale, që Ukrainës po i kërkohet t’i bëjë Rusisë si pjesë e propozimeve të paqes, mbetet ende në diskutim.

Moska nuk ka reaguar ende ndaj njoftimeve të bëra në kryeqytetin francez.

Presidenti rus Vladimir Putin nisi pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës në shkurt të vitit 2022, ndërsa aktualisht Rusia kontrollon rreth 20% të territorit ukrainas.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB