Kompania ajrore la në Brindizi 400 pasagjerët e nisur për në Tiranë, mediat italiane: Kaos në aeroport, qytetarët e revoltuar dolën në pistë, disa prej tyre…

07/01/2026 14:05

Rreth katërqind pasagjerë të dy fluturimeve Wizzair, me destinacion Tiranën dhe që vinin nga Bolonja dhe Bergamo, janë ulur në orën 03:00 të datës 7 janar në aeroportin e Brindisit, për shkak të kushteve të këqija atmosferike në aeroportin shqiptar.

Devijimi i detyruar emergjent ka shkaktuar protesta, të cilat janë përshkallëzuar gjithnjë e më shumë me kalimin e orëve pa marrë asnjë informacion, nga ana e një grupi të madh udhëtarësh. Sipas mediave italiane, këta pasagjerë kanë thyer portat (gate), kanë kapërcyer kordonët e sigurisë duke u futur në pistë.

Një situatë me rrezik të lartë, e cila ka kërkuar ndërhyrjen e policisë aeroportuale, e cila ka rikthyer situatën në normalitet. Megjithatë, pasagjerët ende nuk e dinë nëse dhe kur do ta vazhdojnë udhëtimin apo nëse do të duhet të kthehen mbrapsht.

Protesta vazhdon ende dhe ka dhjetëra pasagjerë që po vazhdojnë “revoltën”, duke kërkuar të nisen menjëherë për në Shqipëri. Ata ndodhen vetëm pak metra larg dy avionëve që kanë mbetur të bllokuar në Brindisi.

Pasagjerë të tjerë kanë pranuar ofertën e kompanisë për të udhëtuar me autobus deri në Fiumicino dhe më pas të hipin në një fluturim për Tiranë. Po ashtu, po vlerësohet edhe mundësia që 150 pasagjerë të mund të arrijnë në Shqipëri me një anije që niset nga Brindisi pasdite dhe ka destinacion Vlorën.

Aeroporti është nën masa të forta sigurie, me praninë e policisë, karabinierëve dhe efektivëve të Guardia di Finanza, për të shmangur probleme të tjera të rendit publik. Deri tani, protesta nuk ka shkaktuar vonesa në fluturimet hyrëse apo dalëse nga aeroporti i Brindisit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB