Dikur, krimi i organizuar i pastronte paratë me metoda të drejtpërdrejta: valixhe me euro që kalonin kufijtë, apartamente luksoze ku ruheshin milionat, ndërtime të shumta për t’i bërë të dukshme si të ligjshme.

Një ekonomi e gjallë, fizike, ku çdo hap lë gjurmë, por edhe rrezikun e vet. Sot, gjithçka ka ndryshuar…..

Metodat e vjetra janë bërë të ngadalta për një botë ku teknologjia udhëheq gjithçka. Paratë nuk kalojnë më nëpër dogana, nuk rrëmbehen në rrugë. Mjafton një laptop, një lidhje interneti dhe një klikim. Paratë zhduken në rrjete virtuale, kalojnë kufijtë pa lënë gjurmë, dhe transformohen në kriptomonedha.

“Grupet kriminale e kanë zhvilluar veten e tyre, kanë kaluar metodat të ndryshme të pastrimit të parave, nga metodat tradicionale në metodat e reja. Dhe organizatat shtetërore duhet të jenë në të njëjtën valë zhvillimi, për të bërë të mundur që të shikojnë se kush janë dritaret e reja, të cilat ndjek krimi për ti fshehur paratë e pista”.

“Referuar faktit që pastrimit të produktit të veprës penale nga grupet kriminale, sigurisht që sjell gjithmonë risi, patjetër që ai do orientohet edhe në risit e tekonologjisë, duke ju referuar mënyrës se si paraja dixhitale, është zhvilluar vitet e fundit, është një sfidë më vete për organet ligjëzbatuese të cilat duhet të marrin në kontroll pastrimin e produkteve të veprës penale.” u shpreh ish prokurori, Eugen Beci.

Një “wallet” në Tiranë mund të kontrollojë miliona euro që duken të pastra, por origjina e tyre mbetet kriminale.

Ky është evolucioni i pastrimit të parave: nga rrugët dhe ndërtesat, tek laboratorët dixhitalë ku krimi ndërthur teknologjinë, mashtrimin financiar dhe luksin….

“Gjurmimi i kriptove është tmerrësisht i vështirë, por falë bashkëpunimit të ngushtë që ne kemi me Europol, Eurojust, me vende të tilla si Holanda, Belgjika, Spanja, Gjermania, Franca etj, kemi krijuar një skuadër të përbashkët jo hetimore por që punojmë në grup, dhe shkëmbejmë informacione me ta për të rejat që prodhon bota e kriptove.”

Një sistem ku çdo klikim mund të fshehë një histori të errët, dhe ku gjurmët nuk lihen në kasaforta, por në blockchain. Një botë dixhitale që pak kush e kupton, por që është bërë strehë perfekte për krimin e organizuar.

“Mungesa e trajnimeve, mungesa e stafit të burimeve njerëzore të mjaftueshme për të gjurmuar këto lloj transaksionesh, sigurisht krijon vështirësi nga organet shtetërore për të gjetur se cili ka qenë autori pas një transaksioni” u shpreh Nadia Elbasani, pedagoge.

“Kryerja e veprimtarisë kriminale, nëpërmjet kriptomonedhave, detyron organet e hetimit të ecin me hapin e teknologjisë që nënkupton hetimi i këtyre mënyrave të pastrimit të produkteve të veprës penale, duhet të filloi nga identifikimi i saktë i të dhënave që ka një kriptomonedhë” u shpreh ish-prokurori, Eugen Beci.

Teksa institucionet përpiqen të ndjekin këto rrjedha virtuale, krimi është një hap përpara: ka krijuar një ekonomi të padukshme, ku paraja e pistë kthehet në pushtet, biznes dhe luks, duke u dukur e pastër, por duke mbartur historinë e saj të errët.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB