Shtëpia e Bardhë: Lirimi i të burgosurve në Venezuelë shembull i ndikimit të Trump
Ushtria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës sekuestroi të mërkurën dy cisterna nafte të lidhura me Venezuelën, njëra prej të cilave në ujërat e Atlantikut të Veriut dhe ishte me flamur rus, ndërsa tjetra u kap në Karaibe.
Operacionet u zhvilluan brenda pak orësh, ku dy cisternat e sekuestruara, Sophia në Karaibe dhe Marinera, e njohur dhe si Bella 1, me flamurin rus në Atlantikun e Veriut, sipas autoriteteve amerikane, dyshohet se kanë transportuar naftë në shkelje të regjimit të sanksioneve.
Zyrtarët në Shtetet e Bashkuara publikuan pamjet e aksionit në ujërat ndërkombëtare, ku shihej momenti kur rreth 10 pjesëtarë të rojës bregdetare amerikane zbresin nga helikopteri dhe hipën në anijen Sophia.
Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, deklaroi se “bllokada ndaj naftës së sanksionuar venezueliane mbetet plotësisht në fuqi, kudo në botë”, duke sinjalizuar vijimin e operacioneve të tilla.
I menjëhershëm ishte reagimi i Rusisë, e cila akuzoi Shtetet e Bashkuara të Amerikës për shkelje të Konventës së OKB-së mbi Ligjin e Detit. Ministria e jashtme ruse u shpreh se “asnjë shtet nuk ka të drejtë të përdorë forcë kundër anijeve të regjistruara siç duhet në juridiksionin e shteteve të tjera”, duke shtuar se cisterna e sekuestruar nga autoritetet amerikane kishte marrë leje të përkohshme për të lundruar nën flamurin rus më 24 dhjetor.
Në një deklaratë nga Shtëpia e Bardhë, Sekretarja e shtypit, Karoline Leavitt, ndërsa zbuloi detajet e operacionit në det, iu përgjigj dhe Rusisë, duke thënë se “Anija e sekuestruar në Atlantikun e Veriut tregon se SHBA-të nuk do të tolerojnë që anijet të shkelin sanksionet”.
Sekuestrimi i dy cisternave të naftës vjen në një moment tensionesh të shtuara ndërkombëtare, pas kapjes së Nicolas Maduros dhe bashkëshortes së tij nga forcat amerikane. Pas arrestimit të Maduros, sekuestrimi i cisternës konsiderohet si një goditje e fortë ndaj flotave në hije që transportojnë naftë për Rusinë, Iranin dhe Venezuelën.
Top Channel