Ankth për Sara Carbonero; shtrohet me urgjencë në spital pasi u ndje keq
Nga Endi Tufa
Në ditën e rinovimit të pjesshëm të kontratës së Sylvinhos dhe stafit të tij ndihmës në krye të pankinës kuqezi derë në muajn korrik të këtij viti, vlen të kujtojmë atë që të huajt i sollën futbollit tonë, vendit dhe djemve kuqezi.
Nëse dikur suksesi i Kombëtares Shqiptare matej me “humbje dinjitoze”, sot flasim për rekorde fitoresh dhe kualifikime të njëpasnjëshme. Një analizë e stolit të të huajve tek ekipi ynë përfaqësues, tregon se Shqipëria nuk ka pasur thjesht trajnerë, por arkitektë që kanë ndërtuar mentalitetin e ri. Në krye të kësaj liste, me shifra që sfidojnë çdo paraardhës, qëndron braziliani Sylvinho.
Që nga viti 2023, Sylvinho ka kthyer entuziazmin në kampin kuqezi. Statistikat flasin vetë: me një përqindje fitoresh prej rreth 47-50%, ai është trajneri më efektiv në historinë moderne të Shqipërisë (për ata me mbi 10 ndeshje).
Bilanci: 12 fitore, 8 barazime, 12 humbje (në rreth 32 ndeshje deri në Janar 2026).
Arritja madhore: Kualifikimi në Euro 2024 si fitues grupi dhe dërgimi i ekipit në Play-off të Botërorit 2026. Ai injektoi një stil loje sulmues që nuk ishte parë kurrë më parë në Tiranë.
Nuk mund të ketë renditje pa njeriun që “theu mallkimin”. De Biasi mbetet trajneri më jetëgjatë dhe ai që i dha Shqipërisë pasaportën e parë europiane.
Bilanci: 19 fitore, 10 barazime, 22 humbje (në 51 ndeshje).
Arritja madhore: Kualifikimi historik në Euro 2016 dhe fitorja e parë në një turne madhor (1-0 ndaj Rumanisë). De Biasi ndërtoi mbrojtjen e çeliktë që u bë marka jonë e regjistruar.
Gjermani Briegel ishte i pari që i bëri shqiptarët të besonin se mund të mposhtnin kampionët. Nën drejtimin e tij, Shqipëria fitoi respektin e Europës.
Bilanci: 10 fitore, 4 barazime, 17 humbje.
Arritja madhore: Fitorja ndaj Rusisë (3-1) dhe ajo ndaj Greqisë (2-1), e cila sapo ishte shpallur Kampione Europe në vitin 2004. Ai solli disiplinën gjermane në një grup plot talent por pa busull.
Edy Reja mori një skuadër në krizë dhe e stabilizoi atë, duke i dhënë vazhdimësi në Nations League dhe kualifikuese.
Bilanci: 14 fitore, 9 barazime, 15 humbje.
Arritja madhore: Ngjitja në Grupin B të Nations League. Megjithatë, stili i tij i lojës shpesh u kritikua si tepër mbrojtës, çka e bën të renditet poshtë dyshes Sylvinho-De Biasi.
Kuže mbetet një nga figurat më të dashura për tifozët. Edhe pse pa një kualifikim, ai solli një futboll njerëzor dhe rezultate premtuese.
Bilanci: 8 fitore, 7 barazime, 9 humbje (në 24 ndeshje).
Arritja madhore: Fitorja 1-0 ndaj Bjellorusisë dhe ndërtimi i një grupi që do të bëhej baza e De Biasit më vonë.
Historia e “Legjionit të Huaj”: Nga pionierët te dështimet e bujshme
Historia e Shqipërisë me trajnerët e huaj nuk nisi sot. Ajo daton që në vitin 1946, kur jugosllavi Ljubiša Broćić u bë i pari i huaj që ulej në pankinën tonë, duke na dhuruar menjëherë titullin e vetëm, atë ballkanik. Që nga ai vit e deri më sot, plot 12 teknikë të huaj (duke përjashtuar ata me mandat vetëm 1-ditor) kanë tentuar të “zbutin” natyrën rebele të futbollit shqiptar.
Përveç emrave të mëdhenj që renditëm më lart, janë edhe disa të tjerë që kontribuan në historinë e kombëtares sonë:
Otto Barić (Kroaci): Një zotëri i vërtetë i futbollit që, megjithëse qëndroi pak, na mësoi se si të luajmë si të barabartë me gjigantët (si barazimi 0-0 ndaj Bullgarisë dhe fitoret e rëndësishme në shtëpi).
Arie Haan (Holandë): Erdhi me petkun e një legjende të futbollit “total”, por në Shqipëri la kujtimin e një ekipi që vuante tmerrësisht për të shënuar, duke u larguar me një bilanc modest prej vetëm 2 fitoresh.
Christian Panucci (Itali): Ndoshta dështimi më i madh në raport me pritshmëritë; erdhi si pasues i De Biasit me një ego të madhe, por e la ekipin në pikën më të ulët të moralit dhe rezultateve.
Giuseppe Dossena (Itali): I pari që hapi “shkollën italiane” në vitin 2002, por aventura e tij ishte një kalim kalimtar që zgjati sa një hapje-mbyllje sytë (vetëm 2 ndeshje).
Miklós Vadas (Hungari) & Nikolai Lyukshinov (BS): Përfaqësuesit e shkollës lindore të viteve ’50, të cilët hodhën themelet e para taktike kur futbolli në vendin tonë ishte ende në hapat e parë të amatorizmit.
Në total, 12 trajnerë nga 7 shtete të ndryshme (Jugosllavi, Hungari, BS, Itali, Gjermani, Holandë, Kroaci dhe Brazil) kanë provuar fatin. Sot, pas shumë tentativash, duket se kemi gjetur formulën magjike me shkollën braziliano-italiane të Sylvinhos, i cili po korr frytet e një rruge që nisi plot 80 vite më parë.
Top Channel