Durrësi kthehet në “Venecia”/ Nisin evakuimet, mbyllen rrugët dhe shkollat, uji hyn edhe në banesa

06/01/2026 19:20

Durrësi nën ujë. Reshjet e dendura të shiut në javën e parë të vitit të ri po e përballin komunitetin durrsak me vështirësi. Mësimi u pezullua, energjia elektrike u ndërpre, automjete ngecën në mes të rrugëve të kthyera në liqen, trotuare e qindra banesa të mbuluara nga uji.

Qyteti bregdetar ka lagje të shumta të pakalueshme. Lëvizja është bllokuar e niveli i ujit mund të arrijë mbi 50 cm.

“Kjo është hera e parë në këtë shkallë, se përmbytje ka pasur gjithmonë, po të zërë katet e para. Shiheni si është bërë”, shpreheht një qytetar.

Uji nuk pushtuar vetëm rrugët në qytetin e Durrësit, por ka depërtuar edhe brenda banesave, sidomos në katet e para, si në këtë shtëpi ku ndodhem. Nga dhoma e gjumit, korridor, kuzhinë, dhoma e ndenjës, ku ende janë detajet e festimit të vitit të ri, por orenditë shtëpiake janë duke notuar.

“Unë jetoj aty por ndodhem te vajzat në Itali. Qenka bërë katrahurë. Aty janë kursimet e një jete. Kam punuar 35 vite mjeke, edhe ky është shpërblimi që marr për 4 vite që dal në pension?! Edhe burri im që punon detrave edhe i kemi rritur fëmijët me sakrifica”, tha qytetarja.

Dhimbjen ua lexon të gjithë banorëve, shtëpitë e të cilëve janë shkatërruar. Momentet e para të përmbytjes janë përjetuar në errësirë, ku natën e kanë kaluar në frikë me rrobat e lagura, teksa akuzojnë për mungesën e ndihmës.

“Që në tre të mëngjesit u zgjuam se u trembëm, shikojmë ne përmbytje. Fukara jemi po s’kemi ku shkojmë, të na japin ndihmë’, tha ai.

Jo vetëm rreziku i jetëve njerëzore, por përmbytjet kanë shkaktuar edhe humbje shpendësh.

Situata më e rënduar raportohet në zonat e Spitallës, Nishtullës dhe ish kënetës, ku banorët kanë improvizuar mënyra të ndryshme për të lëvizur. Problematika u raportua edhe në burgun e Durrësit. Kati i parë i institucionit të ekzekutimit të vendimeve penale u mbush me ujë, që detyroi zhvendosjen e të paraburgosurve në pjesën tjetër të godinës, mes tyre edhe Erion Veliaj dhe Ilir Beqaj.  Masa të cilat u mbikëqyren nga vetë ministri i Drejtësisë

Intensiteti i lartë i reshjeve shkaktoi edhe rrëshqitje të dherave si dhe rrezik të shembjes të urave në zonat periferike. Ndërsa dhjetra familje janë evakuuar në shtëpinë e pushimit të Ministrisë së Brendshme, deri në qetësimin e situatës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB