SHBA-ja ndryshon mendje për Maduron: Ai nuk është udhëheqësi i një karteli droge

06/01/2026 19:31

Për pesë vjet, Departamenti i Drejtësisë i SHBA-së e ka drejtuar gishtin nga Nicolas Maduro, duke e akuzuar atë për drejtimin e Cartel de los Soles, i cili konsiderohet si një nga organizatat më të fuqishme të trafikut të drogës në Amerikën Latine.

Tani, mes heshtjes së plotë të administratës, kjo akuzë është tërhequr në mënyrë sensacionale në dokumentet e hartuara dhe të publikuara nga Prokurorja e Përgjithshme Pam Bondi. Kjo ndodh edhe sepse, siç kanë pohuar prej kohësh ekspertët e krimit të organizuar, karteli thjesht nuk ekziston.

Karteli i Diejve dhe akuza e re kundër Maduros së pari në aktakuzën e vitit 2020, pastaj në ripublikimin e saj të urdhëruar nga Trump korrikun e kaluar 2025, Nicolas Maduro u identifikua qartë në dokumentet e Departamentit të Drejtësisë si udhëheqësi i padiskutueshëm i një karteli masiv droge. Një kartel aq i fuqishëm sa është vendosur në listën e organizatave terroriste të Shtëpisë së Bardhë, të cilën e përditëson periodikisht. Ky përshkallëzim i akuzave pritej të theksohej dhe të shfaqej në mënyrë të spikatur në aktakuzën, të publikuar të shtunën, më 3 janar. Megjithatë, nuk kishte asnjë gjurmë të saj. Maduro u përshkrua në vend të kësaj si një figurë kyçe në një “sistem të korruptuar dhe klientelist” të ushqyer nga droga dhe paratë. Dhe, si me magji, nga 32 herë që Cartel de los Soles u përmend në aktakuzat e mëparshme, referencat për kartelin e dyshuar janë reduktuar në dy.

Çfarë është Cartel de los Soles?

Sipas rindërtimeve të ekspertëve, Cartel de los Soles nuk ekziston. Ose më saktë, nuk është një organizatë e vetme, por një emër i vetëm që përdoret në Venezuelë për të identifikuar një numër të pafund grupesh të vogla kriminale, të lidhura me forcat e armatosura dhe të implikuara në aktivitete të ndryshme të paligjshme: nga kontrabanda e benzinës te minierat e paligjshme dhe trafikimi i drogës.

Prandaj, nuk është një strukturë e organizuar vertikalisht, por një rrjet informal qelizash ushtarake, nga më të ulëtat te më të lartat, të cilat menaxhojnë dhe rregullojnë në mënyrë efektive trafikimin brenda vendit pa ndonjë lidhje të qartë me njëra-tjetrën. Termi Cartel de los Soles, jo rastësisht, u shpik për herë të parë në vitin 1993, kur dy gjeneralë të njësisë anti-drogë të ushtrisë u hetuan për trafik droge. Si komandantë brigade, ata mbanin një diell në të dy rripat e shpatullave të uniformave të tyre kamuflazh. Që nga ky moment e tutje, venezuelianët i referohen njësive të korruptuara të ushtrisë me këtë emër.

Akuza e riformuluar

Dhe kështu, duke ndjekur pikërisht këtë përkufizim, Departamenti i Drejtësisë ka përshtatur edhe akuzat kundër ish-presidentit të Venezuelës. Nicolas Maduro akuzohet se ka grumbulluar fitime dhe ka mbrojtur trafikantë të shumtë droge, të përcaktuar si “zyrtarë të korruptuar civilë, ushtarakë dhe të inteligjencës, që veprojnë në një sistem patronazhi të menaxhuar nga ata në krye, një referencë për emblemën e diellit që varet nga uniformat e zyrtarëve të lartë ushtarakë të Venezuelës”. Ky përkufizim vetëm sa mund ta dëmtojë fatalisht përkufizimin e kartelit të dyshuar si një organizatë terroriste.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB