“Qeveria shkeli ligjin për Ballukun”/ Shehaj thirrje deputetëve të PD: Ka ardhur momenti ta shkelni edhe ju ligjin në interes të qytetarëve

06/01/2026 15:28

Kryetari i Partisë Mundësia, Agron Shehaj u ka bërë thirrje deputetëve të opozitës që janë anëtarë të Këshillit të Mandateve dhe Imuniteteve të shkelin ligjin dhe të bëjnë publike dosjen prej 16 mijë faqesh me prova dhe fakte mbi bazën e të cilave SPAK kërkon arrestimin e zv.kryeministres.

Sipas Shehajt, deputetët e PD duhet të shkelin ligjin në interes të qytetarëve, pasi thotë se qeveria e shkeli ligjin duke mos lejuar arrestimin e zv.kryeministres Belinda Balluku.

“Ka ardhur momenti që deputetët e opozitës të shkelin ligjin. Duhet të bëjnë publike dosjen me 16 mijë faqe me fakte dhe prova që tregojnë që Belinda Balluku është e korruptuar dhe duhet të arrestohet.

Pesë anëtarët e Këshillit të Mandateve kanë të paktën dy javë që e kanë këtë dosje dhe duhet ta bëjnë publike sepse është e vërtetë që shkelin ligjin por në fund të fundit edhe një protestues kur përplaset me policinë shkel ligjin

Dhe mos harrojmë që Edi Rama po shkel ligjin duke mos lejuar arrestimin e Belinda Ballukut. Dhe nuk ka asgjë të keqe nëse përfaqësuesit e opozitës shkelin ligjin në interes të qytetarëve shqiptarë. Nëse nuk duan ta bëjnë ata, le t’ja kalojnë këto informacione, këtë dosje me 16 mijë faqe mediave, dhe merren mediat. Sepse nuk mund të presim që Edi Rama të lejojë arrestimin e Belinda Ballukut.
Nuk ka për ta bërë kurrë sepse e di shumë mirë që pas Belinda Ballukut radhën e ka ai”-thuhet në reagimin e Shehajt.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB