PD protestë kombëtare para 20 shkurtit, Berisha: Nuk shkojmë më në zgjedhje pa një qeveri teknike

06/01/2026 13:12

Partia Demokratike do të organizojë protestën e dytë kombëtare përpara 20 shkurtit, megjithëse data nuk është përcaktuar akoma.

Lideri i opozitës, Sali Berisha tha në një konferencë për shtyp se demokratët nuk do të hyjnë në asnjë proces zgjedhor pa një qeveri teknike.

“Së pari, pa qeveri teknike për të përgatitur zgjedhjet, në zgjedhje nuk shkohet. Me Edi Ramën nuk ka zgjedhje. Ne e kemi deklaruar këtë dhe kjo është një e vërtetë e faktuar tashmë. E faktuar jo vetëm nga ne, por dhe nga komuniteti ndërkombëtar, vëzhguesit e zgjedhjeve. Ndaj dhe PD dhe opozita, kërkon largimin e Edi Ramës, kërkon një qeveri teknike e cila të përgatisë një proces zgjedhor të drejtë. Kjo është kërkesa jonë”, u shpreh Berisha.

Sipas tij “E dyta, natyrisht në kohën e duhur do të japim mendimet tona edhe për qeverinë teknike dhe personat e për gjithë këtë. Për ne rëndësi vendimtare ka përgatitja e një procesi zgjedhor të drejtë, dhe mos bllokimi i drejtësisë, i ligjit dhe Kushtetutës. Dy janë kushtet, se një qeveri që bllokon drejtësinë është për tu hedhur në Lanë”.

Berisha akuzoi gjithashtu Ramën se ka bllokuar mbledhjen e Këshillit të Mandateve dhe Imuniteteve për të votuar kërkesën e SPAK që kërkon leje për arrestimin e zv.kryeministres Belinda Balluku.

“Sot, de facto, Këshilli i Mandateve i hoqi mandatin Lubi Ballukut. Mbledhja është plotësisht valide. Do të bëhet përgjegjës para ligjit dhe Kushtetutës për çdo pengesë që do sjellë Niko Peleshi. Edi Rama pretendon për tre javë dhe se nuk kanë lexuar dosjen në një kohë kur Pamela ka lexuar dosjen dhe videot, jo vetëm mesazhet. Po, po, se duhen thënë të gjitha gjërat ndonjëherë. Po, se këta tejkalojnë çdo gjë vije të kuqe, janë të pacipë, tejkalojnë çdo kufi”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB