Nga Groenlanda te Irani e Meksika, cilat vende do të jenë objektivat e radhës së Trump pas Venezuelës

06/01/2026 07:17

Mandati i dytë i Presidentit amerikan Donald Trump po merr formë të qartë përmes ambicieve të tij në politikën e jashtme.

Pas operacionit spektakolar në Venezuelë, ku forcat amerikane kapën presidentin Nicolás Maduro dhe bashkëshorten e tij në Karakas, vëmendja është përqendruar te vendet e tjera që mund të jenë në shënjestër të Uashingtonit

Gjatë deklaratave të fundit, Trump i është rikthyer Doktrinës Monroe të vitit 1823, të cilën e ka riemërtuar si “Doktrina Donroe”, duke theksuar epërsinë e SHBA-ve në hemisferën perëndimore. Paralajmërimet e tij kanë përfshirë disa shtete kyçe.

Groenlanda

Trump ka deklaruar se SHBA-të “kanë nevojë për Groenlandën për arsye të sigurisë kombëtare”, duke përmendur praninë ruse dhe kineze në rajon. Ishulli arktik, pjesë e Mbretërisë së Danimarkës, është i pasur me minerale të rralla dhe ka rëndësi strategjike për rrugët e ardhshme tregtare në Arktik. Kryeministri i Groenlandës i ka cilësuar këto pretendime si “fantazi” dhe ka kërkuar respektim të ligjit ndërkombëtar.

Kolumbia

Menjëherë pas operacionit në Venezuelë, Trump ka kërcënuar presidentin kolumbian Gustavo Petro, duke e akuzuar se po lejon lulëzimin e karteleve të drogës. SHBA-të kanë vendosur sanksione ndaj Kolumbisë dhe Trump ka lënë të hapur mundësinë e një operacioni amerikan, pavarësisht se historikisht Kolumbia ka qenë aleate e ngushtë e Uashingtonit në luftën kundër trafikut të drogës.

Irani

Edhe pse jashtë hemisferës perëndimore, Irani mbetet në fokusin e Trump. Ai ka paralajmëruar se SHBA-të do të reagojnë ashpër nëse autoritetet iraniane shtypin protestat masive antiqeveritare. Irani ka qenë gjithashtu në qendër të tensioneve pas goditjeve ndaj objekteve bërthamore dhe konfliktit të fundit Izrael–Iran.

Meksika

Meksika vazhdon të jetë një nga temat kryesore për Trump, i cili akuzon autoritetet meksikane se nuk po ndalin trafikun e drogës dhe emigracionin e paligjshëm. Ai ka deklaruar se “diçka duhet bërë”, ndërsa presidentja e Meksikës, Claudia Sheinbaum, ka përjashtuar çdo ndërhyrje ushtarake amerikane në territorin e vendit të saj.

Kuba

Trump ka sugjeruar se Kuba është “pranë rënies” dhe se ndërhyrja ushtarake nuk është e nevojshme. Sipas tij, vendi po përballet me vështirësi të mëdha ekonomike, veçanërisht për shkak të varësisë nga nafta venezueliane. Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka paralajmëruar autoritetet kubane se duhet t’i marrin seriozisht deklaratat e presidentit amerikan.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB