Shqipëria nën ujë, përmbytje në Durrës, Lezhë, Kukës dhe Gjirokastër. Pezullohet mësimi, nis evakuimi i familjeve. Bllokohen tragetet, rritet niveli në kaskada

06/01/2026 19:15

Reshjet e dendura të shiut që kanë përfshirë vendin që prej mbrëmjes së djeshme, kanë shkaktuar përmbytje në disa qytete.

Durrësi mbetet qyteti më i prekur nga moti i keq. Në qytetin bregdetar ka zona ku niveli i ujit arrin deri në 50 cm. Situata më problematike paraqitet në Spitallë, Nishtulla dhe ish-Kënetë (Durrësi i Ri). Rrugët mbeten pothuajse të pakalueshme në shumë lagje të qytetit dhe të braktisura.

Mësimi është pezulluar në shumicën e shkollave të Durrësit për shkak të situatës së krijuar nga reshjet e dendura të shiut dhe bllokimit të rrugëve. Sipas Zyrës Vendore të Arsimit Durrës, prindërit dhe mësuesit janë njoftuar që të shmangin lëvizjet deri në qetësimin e situatës.

Aktualisht 8 familje po evakuohen për shkak të përmbytjes së banesave, 3 prej të cilave nga Shijaku. Ato do të sistemohen në Konvaleshencën e Ministrisë së Brendshme, ku deri tani janë strehuar 3 familje.

Situatë e rënduar paraqitet dhe në autostradën Durrës- Tiranë ku disa automjete janë fikur e paraqesin probleme për shkak të pranisë së lartë të ujit në disa segmente të këtij aksi të rëndësishëm rrugor.

Edhe në Tiranë, reshjet e dendura të shiut dhe mbushja e rrugëve me ujë ka sjellë trafik të rënduar.

Qarku Lezhë vazhdon të jetë i përfshirë nga reshjet e dendura të shiut, ku gjatë 24 orëve të fundit kanë rënë 96 mm shi, sipas të dhënave të Stacionit Meteorologjik Ushtarak Gjadër. Situata ka shkaktuar rritje të niveleve të lumit Drin dhe Mat, si dhe përmbytje të tokave dhe oborreve në disa zona.

Kukës ku vërshimi i ujërave ka përmbytur disa segmente rrugore. Problem mbeten edhe disa akse nacionale, konkretisht rrugët Kukës–Shishtavec, Kukës–Bushtricë, Kukës–Qafë Mali, Kukës–Krumë–Kam–Tropojë, Tropojë–Qafë Morinë, Bajram Curri–Valbonë si dhe aksi Tropojë–Fierzë–Qafë Mali, ku ka prezencë uji dhe dëmtime të pjesshme të rrugës.

Ndërkohë, shumë rrugë rurale në të tre bashkitë e Qarkut të Kukësit janë dëmtuar si pasojë e daljes së përrenjve nga shtrati, duke izoluar përkohësisht disa zona.

Reshje shiu me intensitet të lartë kanë nisur edhe në Fier gjatë paradites së sotme, të shoqëruara me stuhi ere, por deri më tani nuk ka raportime për përmbytje apo dëme të shkaktuara nga moti i keq.

Për shkak të rritjes së prurjeve në lumin Drin, kanë nisur shkarkimet e kontrolluara nga hidrocentralet HEC Koman dhe HEC Vau i Dejës. Aktualisht, po shkarkohet një sasi prej 700 m³/sekondë, përveç prodhimit, ndërsa gjithë procesi po monitorohet dhe menaxhohet nga specialistët e hidrocentraleve.

19:05 Reshjet e dendura të shiut në Gjirokastër/ Del nga shtrati përroi i Ficos dhe liqeni i Viroit, qyteti mbetet pa energji elektrike

Ka dalë nga shtrati përroi i Ficos në Gjirokastër. Ka dalë nga shtrati përroi i Ficos në Gjirokastër duke mbuluar të gjithë qytetin me ujë. Një pjesë e qytetit dhe disa fshatra mbeten pa energji elektrike. Shumë dyqane dhe shtëpi janë nën ujë, ndërsa korrespondentja Entjola Budo raporton se kanë dalë nga shtrati të gjithë përrenjtë dhe Liqeni i Viroit.

18:55 Mbi 1000 hektarë tokë nën ujë, si paraqitet situata e reshjeve në Qarkun e Lezhës

Territori i Qarkut Lezhë vazhdon të jetë i përfshirë nga reshjet e shiut me intensitet mesatar e gjatë gjithë ditës, ku mbi 1000 ha tokë është ende nën ujë. Në bashkinë Lezhë , bazuar në raportimet e Eksensionit Bujqësor dhe bashkisë raportohet, se kemi rreth 1010 ha tokë bujqësore nën ujë, i ndarë si më poshtë, si më poshtë:

17:54 Reshjet e dendura të shiut në vend, rritet ndjeshëm niveli i lumit Vjosë

Reshjet e shiut që kanë rënë gjatë orëve të fundit kanë bërë që niveli i lumit Vjosë të rritet ndjeshëm, duke arritur rreth pesë metra tek Ura e Mifolit. Siç raporton gazetari Mikel Marsi, burime nga zona e Përmetit bëjnë me dije se reshjet e dendura kanë vijuar për disa orë me radhë dhe po bien jo vetëm në këtë zonë, por në të gjithë jugun e vendit.

16:57 Parashikimi i rrezikut nga përmbytjet, IGJEUM: Në 8 qarqe situata problematike, do të ketë rritje të rrezikshme të prurjeve të lumenjve

Instituti i Gjeoshkencave ka paralajmëruar se ditën e sotme dhe dhe nesër priten reshje intensive kryesisht në veri dhe jug të vendit. Në qarqet Shkodër, Kukës, Dibër, Lezhë, Durrës, Elbasan, Vlorë dhe Gjirokastër mund të ketë vërshime të shpejta të lumenjve të vegjël malorë dhe rrëshkitje të dherave. Në zonat urbane, në këto qarqe mund të shfaqen probleme me përmbytje të lokalizuara, në varësi të gjëndjes së kanalizimeve.

16:21 Video/ Durrësi kthehet në “Venecia”, qytetari lëviz me kanoen nëpër qytet

Reshjet e dendura të shiut kanë shkaktuar përmbytje në rrugët e qytetit të Durrësit, duke vështirësuar qarkullimin e automjeteve dhe lëvizjen e këmbësorëve. Një qytetar ka zgjedhur një mënyrë alternative për të lëvizur në qytet, duke përdorur kanoen për të kaluar nëpër rrugët e përmbytura, ku niveli i ujit ka arritur disa centimetra.

15:50 Përmbytjet në Durrës/ “Desh m’u mbyt fëmija”, banorja flet për TCH: E dërgova te fisi që të kujdeset për të. Nuk na strehuan

Dëmet e shkaktuara nga reshjet e dendura të shiut kanë rezultuar thuajse shkatërrimtare për një familje në Durrës. Një banore, në një prononcim për gazetaren e Top Channel, Kristi Gongo, shprehet se shtëpia është përmbytur që mbrëmjen e djeshme, mirëpo ka dalë nga banesa në orën 3 të mëngjesit, pasi rrezikonte jetën fëmija.

15:35 VIDEO/ Situatë e rëndë nga moti i keq, uji hyn brenda shtëpisë në Durrës

Këto pamje vijnë nga një banesë në lagjen Iliria në Durrës, ku uji si pasojë e reshjeve të dendura ka dalë jashtë kontrollit. Uji ka hyrë brenda banesës, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale.
Sikurse duket nga pamjet e përcjella nga korrespondentja e Top Channel Kristi Gongo që ndodhet atje, ka qenë e pamundur për banorët të pengonin hyrjen e ujit brenda në banesë.

14:05 Probleme nga reshjet e shiut edhe në Has, dëmtohen pjesë të trasesë në rrugët e fshatrave

Bashkia Has vijon të përballet me probleme si pasojë e reshjeve të dendura të shiut, veçanërisht në rezervuarët dhe ujëmbledhësit e saj, duke qenë një nga bashkitë me numrin më të madh të tyre në vend. Në fshatin Tregtan janë shfaqur probleme me tejmbushjen e rezervuarit të fshatit, por Bashkia Has ka ndërhyrë në kohë duke devijuar përrenjtë furnizues dhe duke kryer shkarkimet e nevojshme për të shmangur rrezikun.
13:59  Rrëshqitjet e dherave bllokojnë aksin Gjirokastër–Tepelenë, radhë automjetesh në zonën e Shkallës së Zezë

Radhë automjetesh janë krijuar në aksin Gjirokastër–Tepelenë, pasi rrëshqitjet e dherave kanë bllokuar qarkullimin në zonën e Shkallës së Zezë. Si pasojë, lëvizja e mjeteve po zhvillohet me vështirësi, ndërsa reshjet momentalisht kanë ndaluar. Në terren po punojnë firma kontraktore dhe mjetet e ARRSH Gjirokastër për pastrimin e rrugës.

13:54 Hamallaj kthehet në “liqen”, përmbytjet nga reshjet krijojnë situatë të rënduar për banorët

Përmbytjet në Durrës kanë prekur dhe Hamallajn në njësinë administrative në Manëz. Reshjet e shumta kanë përmbytur rrugët, duke e kthyer Hamallajn si një “liqen” dhe duke shkaktuar një situatë të rënduar për banorët. Edhe pse shiu ka pushur, situata vazhdon të jetë problematike në shumë rrugë.

13:52 Përmbyten banesat dhe bizneset në Rrogozhinë, banorët për TCH: Është shkatërruar çdo gjë, dëmi është kolosal

Reshjet e dendura të shiut kanë shkaktuar përmbytje edhe në Rrogozhinë. Banorët e zonës në një prononcim për Top Channel, shprehen se dëmet janë shumë të mëdha dhe se disa u janë dëmtuar bizneset.

13:37  Shembje në dalje të Kukësit nga reshjet e dendura, bllokohet një korsi dhe vështirësohet qarkullimi i mjeteve

Si pasojë e reshjeve të dendura, në dalje të qytetit të Kukësit ka ndodhur një shembje, duke sjellë bllokimin e njërës korsi të lëvizjes. Në rrugë kanë rënë materiale inerte dhe pemë, ndërsa uji ka vërshuar në trupin e rrugës, duke krijuar vështirësi në qarkullim për mjetet.

13:32 Trafik 7 km në Kakavijë, emigrantët qëndrojnë deri në 3 orë në doganë

Radha kilometrike vijon edhe sot në pikën kufitare të Kakavijës, ku emigrantët shqiptarë po kthehen drejt vendeve të tyre të punës pas festave. Kolonat e automjeteve arrijnë deri në 7 kilometra, ndërsa pritja në doganë shkon mbi 3 orë. Situata e rënduar është shkaktuar kryesisht nga pala greke, e cila po punon vetëm me dy sportele, ndërkohë që pala shqiptare ka në funksion katër sportele, në përpjekje për të përballuar fluksin e lartë.

13:30 Reshjet e shiut shkaktojnë rrëshqitje dherash dhe gurësh në Tropojë, bllokohen disa segmente rrugore

Si pasojë e reshjeve të fundit, në territorin e Bashkisë Tropojë janë evidentuar disa problematika në infrastrukturën rrugore. Në Njësinë Administrative Bujan, Bashkia Tropojë, ka ndodhur rrëshqitje dherash, duke sjellë bllokim të rrugëve. Mjetet e bashkisë dhe punonjësit e Njësisë Administrative janë në terren dhe po kryejnë ndërhyrje të menjëhershme për normalizimin e situatës.

13:17 Rëndohet situata nga reshjet në Kukës, bllokohen 10 fshatra

Si rezultat i shembjeve, prezencës së gurëve dhe inerteve në rrugë, si dhe prurjeve të përrenjve, janë bllokuar akset rrugore si më poshtë: Rruga e fshatit Tejdrinë, Njësia Administrative Ujmisht, Rruga që lidh lagjen Haravel me fshatin Lusën, Rruga e fshatrave Lojmë dhe Orçikël, Njësia Administrative Zapod, Rruga e fshatit Borje, Njësia Administrative Shishtavec

13:00 Përmbytet nga reshjet, ministri i Drejtësisë mbërrin në burgun e Durrësit/ Beqaj e Veliaj transferohen në katin e dytë

As burgu i Durrësit nuk ka ‘shpëtuar’ nga përmbytja për shkak të motit të keq. Të paraburgosurit, mes tyre Ilir Beqaj dhe Erion Veliaj, pas përmbytjes së qelive në katin e parë janë transferuar në katin e dytë. Sikurse duket nga pamjet e siguruara nga Top Channel pranë IEVP Durrës ka prezencë të lartë të ujit për shkak të reshjeve të dendura. Vetë ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari ka mbërritur në burgun e Durrësit.

12:35 Bllokohet aksi nacional Tepelenë-Gjirokastër, masivi shtufor shkakton pritje tek automjetet

Bllokohet aksi nacional Tepelenë-Gjirokastër në vendin e quajtur Shkalla e Zezë. Një masiv shtufor ka rënë në rrugë duke shkaktuar bllokimin e aksit në fjalë. Kjo ka shkaktuar radhe të gjata pritjeje tek automjetet në të dy anët e rrugës. Në vendngjarje ka shkuar Policia Rrugore dhe punonjësit e firmës kontraktore për të larguar baltën shtufore.

12:07 Rriten nivelet në kaskadën e Drinit, HEC Koman dhe Vau i Dejës afrohen 1 metër nga kuota maksimale

Sipas të dhënave zyrtare, prurjet natyrore në kaskadë kanë arritur në 2,650 m³/s. Niveli i liqenit të HEC Fierza ndodhet në kuotën 281.2 metra, nga 296 metra që është niveli maksimal. Ndërkohë, HEC Koman ka arritur nivelin 174.2 metra, vetëm 1.3 metra larg kuotës maksimale prej 175.5 metrash, ndërsa HEC Vau i Dejës ndodhet në kuotën 74.9 metra, rreth 1.1 metra poshtë nivelit maksimal prej 76 metrash.

11:57 Vijon pezullimi i lundrimit në detin e Vlorës, nuk lejohen udhëtimet drejt Italisë, dallgët arrijnë deri në 7 ballë

Për shkak të situatës së krijuar dhe përkeqësimit të kushteve atmosferike, vijon pezullimi i lundrimit detar për të gjitha anijet e vogla dhe peshkarexhat, si dhe moslejimi i lundrimit drejt Italisë, për shkak të erërave të forta dhe detit me dallgë deri në 7 ballë në det të hapur. Ndërkohë, Kapiteneria e Portit të Vlorës ka njoftuar mjetet e vogla lundruese, përfshirë tonazhin e lehtë si dhe mjetet e peshkimit, që të qëndrojnë të ankoruara dhe te presin një njoftim të dytë, pasi, sipas parashikimeve, moti është përkeqësuar dhe ekziston rreziku i mbytjes se tyre.

11:37 Familja mbetet e bllokuar brenda makinës në Nishtullë, rruga e pakalueshme

Një qytetar nga Kosova së bashku me tre fëmijët kanë mbetur të bllokuar në makinë në rrugën që të çon në Nishtullë. Ata janë nisur nga Ndroqi, ndërkohë që rruga është e pakalueshme.Sikurse duket në pamje, automjeti ka mbetur i bllokuar, ndërsa po ndërhyhet me karrotrec. Në rrugë ka prezencë të madhe të ujit për shkak të reshjeve të dendura të shiut.

10:51 Përmbyten tre banesa nga reshjet e shiut në Durrës, evakuohen 8 familje. Preken edhe burgjet

Reshjet e dendura të shiut kanë shkaktuar përmbytje të tre banesave në Durrës. Për pasojë tetë familje po evokohen, ku tre prej tyre janë nga Shijaku. Ato do të sistemohen në Konvaleshencën e Ministrisë së Brendshme, ku deri tani janë strehuar 3 familje. Po ashtu përmbytje ka dhe në IEVP-në e Durrësit.

1o:38 Reshje shiu dhe stuhi ere në Fier, hidrovoret gati për të shmangur çdo problem të mundshëm

Reshje shiu me intensitet të lartë kanë nisur edhe në Fier gjatë paradites së sotme, të shoqëruara me stuhi ere. Deri më tani nuk ka raportime për përmbytje apo dëme të shkaktuara nga moti i keq. Të gjithë hidrovoret ndodhen në gatishmëri dhe po punojnë me kapacitet të plotë për të shmangur çdo problem të mundshëm.

10:29 Moti i keq në vend, anulohet për herë në dy dekada ceremonia e hedhjes së Kryqit në detin Adriatik

Besimtarët e krishterë kremtojnë sot Pagëzimin e Zotit Jezus Krisht dhe me këtë rast Fortlumturia e Tij, Kryepiskopi Joan drejtoi Liturgjinë Hyjnore në Kishën “Apostull Pavli dhe Shën Asti” të Durrësit. Në orën 10:30, pas Bekimit të Ujit në kishë, ishte parashikuar që Kryepiskopi të kryente procesin e hedhjes së Kryqit në detin Adriatik në port, por për shkak të motit ky proces nuk do të bëhet.

10:25 Trafik i rënduar nga moti i keq në Tiranë, dy autobusë pësojnë defekt në mes të rrugës

Një ngjarje e paprecedentë ndodhi këtë mëngjes në kryeqytet për udhëtarët e linjës urbane Tirana e Re. Teksa reshjet e shiut shkaktuan trafik të rënduar, qytetarët u përballën me një situatë skandaloze kur autobusët pësuan defekt në mes të rrugës, duke i lënë udhëtarët në mes të rrugës.

10:21 Shkarkohet hidrocentrali i Komanit, 700 m³/sekondë

Për shkak të rritjes së prurjeve në lumin Drin, kanë nisur shkarkimet e kontrolluara nga hidrocentralet HEC Koman dhe HEC Vau i Dejës. Aktualisht, po shkarkohet një sasi prej 700 m³/sekondë, përveç prodhimit, ndërsa gjithë procesi po monitorohet dhe menaxhohet nga specialistët e hidrocentraleve.

10:20 Probleme nga reshjet e shiut në Nishtullë dhe ish-Kënetë/ Niveli i ujit në 50 cm, bllokohet i rezervuari i Spitallës

Si pasojë e reshjeve të dendura të shiut, më disa zona të Durrësit niveli i ujit arrin deri në 50 cm. Situata më problematike paraqitet në Spitallë, Nishtulla dhe ish-Kënetë (Durrësi i Ri). Rrugët mbeten pothuajse të pakalueshme në shumë lagje të qytetit dhe të braktisura.

10:07 Reshjet e dendura të shiut në vend, moti i keq prek edhe bizneset e hotelerive në Spille

Reshjet e dendura të shiut kanë sjellë përmbytjen e hoteleve në Spille. Kjo vjen si pasojë e kanalit kryesor që u bë këtë vit. Sakaq raportohet se kjo është hera e parë që ndodh në këtë zonë. Mendohet se janë mbi 10 biznese hotelerie që janë prekur nga moti i keq.

09:57 Reshjet e dendura bllokojnë rrugët, pezullohet mësimi në shumicën e shkollave në Durrës

Mësimi është pezulluar në shumicën e shkollave të Durrësit për shkak të situatës së krijuar nga reshjet e dendura të shiut dhe bllokimit të rrugëve. Sipas Zyrës Vendore të Arsimit Durrës, prindërit dhe mësuesit janë njoftuar që të shmangin lëvizjet deri në qetësimin e situatës.

09:45 Reshjet e dendura të shiut bllokojnë qarkullimin Tiranë–Durrës, Policia publikon rrugët që duhen devijuar

Për të shmangur trafikun dhe aksidentet, Policia Rrugore ka njoftuar devijime të lëvizjes: automjetet që vijnë nga jugu drejt Tiranës do të qarkullojnë përmes Rrugës së Plepave deri në Ndroq dhe më pas nga rruga “Rrogozhinë–Elbasan–Tiranë”. Ndërkohë, për drejtimin Durrës, automjetet duhet të kalojnë nga rruga e universitetit drejt Spitallës dhe më pas në rrugën “Tiranë–Elbasan–Rrogozhinë”.

09:02 Reshje të dendura shiu në Qarkun Lezhë/ Rritet niveli i lumit Drin dhe Mat, përmbytje në disa zona

Qarku Lezhë vazhdon të jetë i përfshirë nga reshjet e dendura të shiut, ku gjatë 24 orëve të fundit kanë rënë 96 mm shi, sipas të dhënave të Stacionit Meteorologjik Ushtarak Gjadër. Situata ka shkaktuar rritje të niveleve të lumit Drin dhe Mat, si dhe përmbytje të tokave dhe oborreve në disa zona.

08:52 Reshjet e dendura në Kukës/ Përmbyten rrugë dhe lagje në qytet, banorët të izoluar

Reshjet e dendura të shiut kanë shkaktuar probleme të shumta në Qarkun e Kukësit. Situata më problematike paraqitet në qytetin e Kukësit, ku vërshimi i ujërave ka përmbytur disa segmente rrugore.

08:37 Situatë e rënduar në Durrës, preket edhe autostrada/ Një familje evakuohet në Kavalishencë

Situatë e rënduar në të gjithë Durrësin, përfshirë dhe autostradën. Një familje nga zona e ish-Kënetës është evakuuar në Shtëpinë e Pushimit të Ministrisë së Brendshme në plazhin e Durrësit, pasi banesa e saj është përmbytur.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB