Në merkaton e janarit është gjithnjë në modë koncepti ‘shans’, fjala elegante për të maskuar pamundësinë për të investuar shuma të mëdha për t’u përforcuar në mesin e sezonit.

Për Juventusin, Federico Chiesa përfaqëson pikërisht konceptin ‘shans’; bardhezinjve iu duhet më shumë një mesfushor i qendrës, një sulmues i djathtë dhe ndoshta edhe një qendërsulmues, por si mund të refuzojnë ata një profil si ai i futbollistit italian?

Federico Chiesa e njeh mirë ambientin, duke qenë se në 2024 kur u transferua te Liverpool ka qenë pjesë e Juventusit dhe ai dëshiron të kthehet në Itali për të gjetur vazhdimësinë e ndoshta duke marrë një revansh të vogël e të kthehet të luajë playoffin e Botërorit me Italinë. Liverpool është gati ta lejojë atë të largohet, por përfundimisht pa kërkuar shifra marramendëse dhe Spalletti e di që mund ta përdorë 28 vjeçarin në më shumë se një pozicion.

Kontaktet e para zyrtare u bënë këtë të hënë, kur Juventusi mësoi se Liverpool ishte i hapur ndaj shitjes së Chiesa, por formula duhet të parashikojë blerjen përfundimtare të kartonit të tij; shitje e menjëhershme ose huazim me detyrim blerjeje. Ideja e The Reds është të rikuperojë 12 milionë eurot e shpenzuara për blerjen e Chiesa përpara 18 muajsh, por aktivizimi i pakët që i ka rezervuar Slot, është detaji ku do të kapet Juventusi në mënyrë që të ulë këtë shifër, ndërkohë që nuk duhet harruar se edhe Napoli e Roma kanë shfaqur interesin për të

Një tjetër variabël në këtë histori është Kupa e Afrikës. Përpara se të shesë Chiesa, trajneri i Liverpool do të presë kthimin e Mohamed Salah nga Kupa e Afrikës, por Egjipti synon arritjen në finalen e kompeticionit që është në 18 janar. Për këtë arsye duket e vështirë që ky operacion të nisë përpara mesit të këtij muaji, gjithnjë nëse Egjipti eliminohet përpara kohe. Ndërkaq Juventus ka bërë hapat e parë për të marrë avantazhin kundrejt rivalëve; lëvizje strategjike që mund të japë frytet e saj në ditët në vazhdim.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB