Deklarata e Trump për kontrollin e Venezuelës, tre gjigantët amerikanë të naftës nisin planifikimet për takime me administratën e presidentit
Dhjetë persona janë shpallur fajtorë për ngacmim kibernetik ndaj Brigitte Macron, bashkëshortes së presidentit francez Emmanuel Macron, nga një gjykatë në Paris.
Të pandehurit u akuzuan se kishin përhapur pretendime të rreme lidhur me gjininë dhe seksualitetin e saj, si edhe se kishin bërë “komente keqdashëse” për diferencën 24-vjeçare të moshës mes çiftit.
Ata u dënuan me dënime me burg me kusht deri në tetë muaj.
Një teori konspirative që pretendon se Brigitte Macron është një grua transgjinore ka qarkulluar që prej zgjedhjes së bashkëshortit të saj si president në vitin 2017.
Vendimi i së hënës në Francë vjen në një kohë kur familja Macron po ndjek një padi për shpifje në Shtetet e Bashkuara kundër influencueses së djathtë Candace Owens, e cila gjithashtu ka përhapur teori konspirative mbi gjininë e zonjës së parë.
Ata pretendojnë se ajo “ka shpërfillur çdo provë të besueshme që rrëzon pretendimin e saj, duke zgjedhur të promovojë teori konspirative dhe shpifës të njohur”.
Owens i ka përsëritur vazhdimisht këto pretendime në podkastin e saj dhe në rrjetet sociale dhe, në mars 2024, deklaroi se do të vinte në lojë “tërë reputacionin e saj profesional” mbi bindjen se zonja Macron “në fakt është burrë”.
Brigitte Macron u njoh për herë të parë me bashkëshortin e saj të tanishëm kur ajo ishte mësuese në shkollën e mesme që ai ndiqte.
Çifti u martua në vitin 2007, kur presidenti i ardhshëm francez ishte 29 vjeç dhe ajo ishte në mesin e të pesëdhjetave.
Top Channel