Departamenti Amerikan i Shëndetësisë dhe Shërbimeve Njerëzore do të rekomandojë më pak vaksina për fëmijët, njoftuan zyrtarët e shëndetësisë të hënën.
Zyrtarët do të vazhdojnë të rekomandojnë vaksinat kundër fruthit, shytave dhe rubeolës, si dhe vaksinat kundër poliomelitit, lisë së dhenve, HPV-së dhe të tjerave, por do të kufizojnë rekomandimet për vaksinimet kundër virusit respirator sincicial (RSV), sëmundjes meningokokale, hepatitit B dhe hepatitit A për fëmijët me rrezik më të lartë infeksioni.
Ata do të rekomandojnë që vendimet në lidhje me vaksinimet kundër gripit, COVID-19 dhe rotavirusit të bazohen në “vendimmarrje të përbashkët klinike”, që do të thotë se ata që duan të vaksinohen duhet të konsultohen me një profesionist të kujdesit shëndetësor, sipas CNN. Ndryshimet e propozuara vijnë mes një rritjeje të ndjeshme të rasteve të gripit në të gjithë vendin. Deri më tani, Qendrat Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) kanë raportuar nëntë vdekje të fëmijëve.
Sipas Departamentit të Shëndetësisë dhe Shërbimeve Njerëzore, të gjitha kompanitë e sigurimeve do të vazhdojnë të mbulojnë koston e këtyre vaksinave pa bashkëpagesë. Megjithatë, këto ndryshime mund të krijojnë pengesa të reja për prindërit të cilët duhet të konsultohen me mjekët në lidhje me vaksinimet që nuk rekomandohen më për fëmijë të shëndetshëm.
Orari i ri i vaksinimit të fëmijëve në Shtetet e Bashkuara është më i ngjashëm me atë të vendeve të tjera të zhvilluara, siç është Danimarka, sipas CNN. Danimarka nuk rekomandon vaksinime për fëmijët kundër rotavirusit, hepatitit A, meningjitit, gripit, varicelës ose virusit sincicial të frymëmarrjes (RSV).
Top Channel