Ndihmohet nëna me fëmijët autikë/ Beteja nuk ka përfunduar, nis puna për gjetjen e një strehe të ngrohtë për të tre

05/01/2026 12:23

Pas transmetimit të rastit tronditës në Top Channel, ku u pasqyrua historia e Elenës dhe dy fëmijëve të saj me autizëm, ndërgjegjja qytetare u zgjua. Një histori që preku zemrat e shumëkujt dhe nxori në pah një realitet të dhimbshëm: tre jetë që prej kohësh përballen me të ftohtin, varfërinë dhe mungesën e kushteve më bazë.

Reagimi nuk mungoi. Biznese lokale dhe qytetarë të ndjeshëm iu gjendën pranë kësaj nëne dhe dy fëmijëve të saj, duke ofruar ndihma me ushqime, mbështetje financiare dhe, pas një kohe të gjatë pa asnjë mundësi argëtimi, fëmijët më në fund kanë një televizor, ku mund të shohin programet e tyre të preferuara dhe të ndjejnë pak normalitet.

Por kjo ndihmë, sado e vlefshme, është vetëm hapi i parë.

Elena dhe dy fëmijët e saj kanë nevojë urgjente për një strehë të ngrohtë dhe të sigurt. Muret e lagura, lagështia dhe të ftohtit janë rrezik për shëndetin e fëmijëve, të cilët kanë nevojë për kushte të qëndrueshme, qetësi dhe ngrohtësi për t’u trajtuar e për t’u rritur me dinjitet.

Ditët e para të vitit 2026 për këtë familje janë paksa më të lehta falë zemërgjerësisë së njerëzve, por beteja nuk ka përfunduar. Kjo histori nuk kërkon thjesht ndihmë të përkohshme, por zgjidhje afatgjata. Sepse asnjë nënë nuk duhet të luftojë e vetme dhe asnjë fëmijë nuk duhet të rritet në të ftohtë.

Ky është një apel për më shumë solidaritet, për më shumë përgjegjësi dhe për një strehë të ngrohtë ku këto tre jetë të gjejnë më në fund siguri dhe shpresë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB