Pasojat e motit të keq/ Niveli i ujit në Obot të Shkodrës arrin në 30-40 cm, bllokohen 15 familje në Bushat
Këtë të hënë, në Gjykatën e Krimeve të Rënda të Brukselit ka nisur gjykimi i 9 personave që akuzohen për vrasjen e 38-vjeçarit Ardit Spahiut.
Sipas mediave vendase personazhet kryesorë të dosjes janë Franc Gergely (i njohur edhe si Franc Çopja) dhe Mikael Qosja, të cilët dyshohen se janë pjesë e një klani mafioz shqiptar, i përmendur shpesh në hetime për importimin e sasive të mëdha të kokainës në Evropë.
Në 27 nëntor 2020, Ardit Spahiu u vra në një pritë në rrugën “Condor”, në zonën Molenbeek-Saint-Jean. Rreth orës 17:45, një person i maskuar dhe i armatosur me mitraloz me silenciator, sipas dëshmitarëve, qëlloi në breshëri ndaj tij. Në vendngjarje u gjetën 17 gëzhoja dhe nëntë plumba prekën Spahiun në trup.
Hetimet tregojnë se edhe viktima ishte e përfshirë në trafikun e drogës, nëpërmjet një klani tjetër shqiptar, klani Alibey, rival i grupit të Franc Gergely. Ky konflikt dyshohet se kishte nisur prej vitesh dhe kishte sjellë disa atentate të porositura në Shqipëri. Këto informacione u janë dhënë hetuesve nga familjarët e viktimës.
Mediat belge shkruajnë se konfliktet lidhen me luftë për kontrollin e tregut të drogës, vjedhja e një ngarkese prej 50 kilogramësh kokainë, borxhe financiare apo thjesht përplasje personale. Hetimi mbeti për një kohë i bllokuar, derisa autoritetet arritën të dekriptojnë rrjetin Sky ECC, aplikacionin e komunikimit të përdorur gjerësisht nga krimi i organizuar ndërkombëtar.
“Ishte sikur të uleshe në tryezën e kriminelëve”, shprehej atëherë një zyrtar i lartë i policisë federale. Dekriptimi i Sky ECC çoi në goditjen e shumë grupeve kriminale në mbarë botën dhe zbuloi edhe komunikime që lidhen me organizimin e vrasjes së Ardit Spahiut. Këto mesazhe përfshinin shkëmbime midis Franc Gergely dhe personave të tjerë të përfshirë në çështje, tre prej të cilëve janë ende në arrati.
Franc Gergely u arrestua në shtator 2023 në Emiratet e Bashkuara Arabe dhe u ekstradua në Belgjikë në dhjetor.
Top Channel