Sfida e presidentit për Kurtin, pengesë e parë për Vetëvendosjen pas dy muajsh kur do të zgjidhet kreu i shtetit Për më shumë se dy vjet, në një procedurë të tejzgjatur, ish-krerët e Ushtrisë çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi po gjykohen nga Dhomat e Specializuara në Hagë.
Gjatë kësaj kohe, Prokurori i Specializuar kur shpalosi provat në çështjen e tij u konsiderua që shpeshherë ishin edhe paragjykuese për të pandehurit.
“Prokuroria ka pasur një qasje njëanësore, paragjykuese ndaj të pandehurve, kanë bërë përpjekje masive që brenda kornizës ligjore, brenda asaj që ua lejon kodi i procedurës penale, apo rregullat e gjykatës, të ushtrojnë të gjitha kompetencat për tua vështirësuar jetën të pandehurve në Hagë”, shprehet Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi
Përpos kësaj, Avokati i Popullit në Kosovë ka vërejtur një sërë shkeljesh në të drejtat e ish-krerëve të UçK-së.
“Komunikimet janë të kufizuara, distanca është shumë e largët mes familjeve dhe vendit ku ndodhen këta të paraburgosur, pastaj mbikëqyrja e bisedave dhe mbikëqyrja e kontakteve dhe komunikimeve është shumë problematike”, shprehet Avokati i Popullit, Naim Qerlaj.
Avokati i Popullit duke listuar edhe një numër shqetësimesh, thotë se më e problematikja është mungesa e llogaridhënies së Gjykatës Speciale, për çka kërkon edhe aktivizim të institucioneve të Kosovës.
“Mungesa e llogaridhënies, mungesa e mbikëqyrjes, mungesa e raportimit dhe krejt kjo e bën këtë Gjykatë, jotransparente në raport me publikun, krijon mjegulli dhe paqartësi dhe kur i referohemi shqetësimeve që ngritën edhe nga mbrojtja e opinioni publik, natyrisht që për mua si avokat i Popullit kjo tregon një moment kur duhet të ndërhyhet”, tha Avokati i Polullit.
Zyra e Prokurorit të Specializuar në rastin e Thaçit dhe të tjerëve, ka përfunduar paraqitjen e provave më 15 prill të këtij viti.
Mbrojtja në anën tjetër nisi paraqitjen e tyre në shtator, ku dëshmitarë në favor të ish-presidentit Hashim Thaçi u thirrën ish-ndihmësi i sekretarit amerikan të shtetit, James Rubin, ish-këshilltari ligjor i delegacionit shqiptar në Rambuje, Paul Williams, ish – komandanti i lartë të NATO-s, Wesley Clark, ish-diplomati amerikan Christopher Hill e të tjerë.
Mbrojtja mbylli paraqitjen e provave më 2 dhjetor e më 18 dhjetor 2025 u mbyll procedura për paraqitjen e provave në këtë proces gjyqësor.
Ndërkohë, deklaratat përmbyllëse do të mbahen nga data 9 deri më 13 shkurt 2026. Një vendim i shkallës së parë, pritet të jepet në pjesën e parë të vitit.
“Skenari më praktik do të ishte që të kemi një vendim të shkallës së parë në muajin prill, por mund të shkojë edhe në muajin maj, varësisht se sa do të jetë efikase gjykata”, shprehet Miftaraj.
Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryetarët e Kuvendit, Jakup Krasniqi e Kadri Veseli dhe ish-deputeti Rexhep Selimi akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Ish-krerët e UçK-së, mbahen në paraburgim që nga viti 2020.
Top Channel