Në një kohë kur shumica e të rinjve vendosin të studiojnë për mjekësi, teknologjia apo degë të ndryshme të inxhinierisë, ka edhe studentë si Klajdi i cili i është përkushtuar degës së bujqësisë, apo ndryshe Inxhinieria Agrare.
“Vendosa që të vazhdoja në degët e bujqësisë, duke pasur një lidhje me të shkuarën ku gjyshi im ka ushtruar profesionin e agronomit. Me kalimin e kohës duke parë se sa fushë e bukur ishte bujqësia, më bëri për vete”, u shpreh Klajdi.
Klajdi Pirja, një student 21 vjeç ka vendosur që jetën e tij t’ja dedikojë këtij profesioni. Ashtu sikurse thotë edhe vetë ai, kjo nuk është thjesht një punë, por është një lidhje me të shkuarën, një kulturë, një binde, një trashëgimi e kaluar brez pas brezi.
“Është një fuqizim i specialitetit të fushës së bujqësisë, sepse puna e agronomit të mbrojtjes së bimëve ndikon drejt për së drejti në ushqimin dhe tryezat tona”, tha Klajdi.
Klajdi thekson se e aq sa të rëndësishme janë studimet, po aq është edhe praktika në terren, të cilën ai e ushtron sa herë kthehen në fundjavë tek prindërit e tij në zonën e Beratit.
“I hidhem terrenit dhe sa herë që mbarojë dhe kthehem në familje fundjavave nuk reshtem aty por së bashku me ndihmën e një agronomi i cili është ekspert tashmë, unë si student i kësaj fushe dalim në terren, shkojmë në sera. Shoh që fermeri ka nevojë për një këshillim të drejt dhe të përgjegjshme”, tregon Klajdi.
Ai po ashtu ka treguar edhe detaje nga praktika e tij e përditshme, duke u kujdesur të ndërthurë njohuritë e marra në Universitet, me ato të cilat i zbaton në terren.
“Shikojmë simptomat kryesore tek gjethet, te kokrra e ullirit, këtu e kemi në degë”, tha ai.
Për Klajdin, kjo degë nuk është vetëm një trashëgimi por edhe një pasion që për të ka një rëndësi të madhe.
“I bëjë thirrje të rinjve dhe i ftoi që të kontribuojnë në fushën e bujqësisë, të studiojnë të hulumtojnë aty, sepse pa bujqësi ne nuk kemi jetë”, përfundoi ai.
Top Channel