SHBA ka goditur pesë liderë/ Nga Sadam Husein te Noriega, kush janë krerët e shteteve që u ndëshkuan

04/01/2026 14:35

Operacioni ushtarak amerikan i koduar “Maduro Out”, që çoi në arrestimin e presidentit venezuelian Nicolás Maduro dhe bashkëshortes së tij, Silia Flores, ka rikthyer në vëmendje një praktikë të rrallë, por jo të panjohur: kapjen e krerëve të shteteve të huaja drejtpërdrejt nga Shtetet e Bashkuara.

Rasti i Venezuelës nuk është i vetmi në histori, pasi të paktën katër liderë të tjerë janë ndaluar ose larguar me forcë nga pushteti përmes operacioneve amerikane jashtë territorit të SHBA-së.

Një nga rastet më të debatueshme mbetet ai i ish-presidentit të Haitit, Jean-Bertrand Aristide. Në vitin 2004, ai u largua nga vendi në rrethana të paqarta, i shoqëruar nga rreth 20 marinsa amerikanë. Aristide u dërgua fillimisht në Republikën e Afrikës Qendrore dhe më pas në Afrikën e Jugut, përpara se të kthehej vite më vonë në Haiti. Ngjarja vazhdon edhe sot të shihet si një “rrëmbim politik” nga mbështetësit e tij.

Një vit më herët, në dhjetor 2003, bota u përball me një nga arrestimet më të bujshme: kapjen e ish-diktatorit irakian Saddam Hussein. Ai u gjet i fshehur në një strehë nëntokësore gjatë operacionit “Agimi i Kuq”, pas tetë muajsh kërkimesh intensive nga forcat amerikane. Në kohën kur George w. Bush ishte president, arrestimi u konsiderua si kulmi i ndërhyrjes amerikane në Irak. Pas një procesi gjyqësor të shpejtë, Hussein u dënua me vdekje.

Më herët, në janar të vitit 1990, ishte radha e presidentit panamez Manuel Noriega. Operacioni “Just Cause”, i urdhëruar nga presidenti George H. W. Bush, çoi në rrëzimin dhe arrestimin e Noriegës, i akuzuar për trafik droge dhe korrupsion. Ai u transferua në Shtetet e Bashkuara, ku u gjykua dhe u dënua me mbi 40 vite burg, një precedent që ngjan në shumë aspekte me rastin aktual të Maduron.

Rasti më i hershëm në histori daton në vitin 1901 dhe lidhet me Emilio Aguinaldon, presidentin e Republikës së Parë Filipinase. Ai ishte figura kryesore e rezistencës gjatë Luftës Filipino-Amerikane, pas refuzimit të Traktatit të Parisit të vitit 1898, i cili i kalonte Filipinet nën kontrollin amerikan. Kapja e Aguinaldos shënoi fundin e përpjekjes për pavarësi në atë fazë dhe vendosi një precedent të hershëm të ndërhyrjes amerikane përtej kufijve.

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB