Real Madrid, tregolësh i Gonzalo Garcia, ‘Los Blancos’ shkatërrojnë Betisin, sërish -4 pikë nga Barcelona.

04/01/2026 18:26

Reali i Madridit iu përgjigj menjëherë fitores së Barcelonës në derbin me Espanyol. Në Santiago Bernabeu, skuadra e Los Blancos i dha një leksion të mirë futbolli, Betis Sevilla teksa e mundi me rezultatin e thellë 5-1 në një ndeshje ku shkëlqeu i riu Gonzalo Garcia me tregolëshin e shënuar prej tij.

Pjesa e parë u mbyll me avantazhin 1-0 për Realin e Madridit me golin e shënuar në minutën e 20 pikërisht nga Gonzalo. Pas pushimit të ndeshjes, golat vërshuan lumë në një pasdite që ishte e gjitha për Gonzalon që në minutën e 50 dyfishoi shifrat në 2-0.

Skuadra e Xabi Alonsos, që ishte pa Kylian Mbappe të dëmtuar, ishte e papërmbajtshme, teksa në minutën e 56 shënoi edhe golin e tretë, këtë radhë me Raul Asencio. Dhjetë minuta më vonë Betis shkurtoi diferencën në 3-1 me golin e Cucho Hernandez, por Reali i Madridit iu kundërpërgjigj shumë shpejt.

Në minutën e 82 Gonzalo Garcia plotësoi tregolëshin personal duke e cuar rezultatin në 4-1, ndërsa në minutat shtesë të ndeshjes, Fran Garcia plotësoi manitën duke vulosur fitoren 5-1 të Realit të Madridit që me këtë sukses ktheu diferencën prej 4 pikësh me Barcelonën kryesuese, ndërsa Betis mbetet me 28 pikë në vendin e 6.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB