Një operacion i koduar “Vendosmëria Absolute”, që sipas burimeve ndërkombëtare kombinoi forcën ushtarake, forcat speciale, inteligjencën dhe negociatat prapa skenave, ka tronditur Venezuelën dhe marrëdhëniet me SHBA-të.
Aksioni përfundoi me kapjen e Nicolas Maduros, i cili u shfaq si i burgosur, i prangosur dhe me sy të lidhur, deri në transferimin e tij në Nju Jork.
Sipas raportimeve, Pentagoni kishte përgatitur një platformë për një sulm të vërtetë, ndërsa Komanda Jugore e SHBA-së ngriti një skenar parandalues. Megjithatë, akti final u kufizua në një operacion të shpejtë dhe të fokusuar, për shkak të kohës së ngushtë dhe rrethanave në terren.
CIA luajti një rol kyç në tre drejtime: mbështeti ushtrinë amerikane në gjurmimin e objektivit, zhvilloi operacione në terren dhe, sipas spekulimeve, hapi kanale negociimi me një pjesë të regjimit venezuelian. Burime flasin për bashkëpunim nga brenda hierarkisë së pushtetit në Karakas, megjithëse niveli i këtyre kontakteve pritet të zbulohet vetëm me kalimin e kohës.
Në operacion u përdorën disa nga sistemet më të avancuara të arsenalit amerikan, mes tyre edhe droni legjendar RQ-170 Sentinel, i njohur si “Bisha e Kandaharit”. Avioni zbulues, i parë për herë të parë në Afganistan në vitin 2007, u fotografua pas rikthimit në një bazë në Porto Riko dhe dyshohet se ka luajtur rol vendimtar në gjurmimin e lëvizjeve të Maduros. RQ-170 ka qenë më herët pjesë e misioneve mbi Iranin, operacionit kundër Osama bin Ladenit dhe ndërhyrjeve të tjera strategjike.
Ndërkohë, teoritë për “tradhti” brenda regjimit janë rikthyer fuqishëm. Sipas një interpretimi që qarkullon në qarqe diplomatike, zëvendëspresidentja Delcy Rodríguez mund t’i ketë ofruar Uashingtonit “trofeun Maduro”, në këmbim të marrëveshjeve të ardhshme të naftës dhe një tranzicioni të kontrolluar pushteti. Media amerikane kanë raportuar më herët se Rodríguez, përmes ndërmjetësimit të Katarit, kishte tentuar të ndërtonte besueshmëri si bashkëbiseduese e re me SHBA-të, duke propozuar një skenar “Maduro pa Maduro”.
Detaje interesante kanë dalë edhe nga fotot e publikuara nga Shtëpia e Bardhë gjatë momenteve vendimtare të operacionit. Presidenti amerikan dhe bashkëpunëtorët e tij shfaqen në një ambient me mure të mbuluara me mushama të zeza, duke ndjekur zhvillimet përmes kompjuterëve dhe rrjetit social X.
Ekspertët vërejnë se ambienti nuk duket i mbrojtur si një dhomë SCIF, ndërsa përdorimi i rrjeteve sociale shpjegohet me nevojën për të monitoruar burime të hapura, ashtu siç ndodhi edhe gjatë operacionit kundër Bin Ladenit, kur lajmi i parë doli në Twitter.
Zhvillimet e ditëve dhe javëve në vijim pritet të hedhin më shumë dritë mbi prapaskenat e operacionit, marrëdhëniet e reja SHBA–Venezuelë dhe fatin politik të Karakasit pas largimit të Maduros.
Top Channel