Reagime të ndryshme kryesisht në rrjetet sociale ka shkaktuar interpretimi i këngëve të Vitit të Ri nga anëtarë të shoqatës të Liosiotëve të Ilionit të Athinës, të cilët përfaqësojnë traditën arvanitase të zonës, para kryeministrit grek Kyriakos Mitsotakis, më 31 dhjetor 2025 në ambientet e Pallatit Maksimos.

Anëtarët e shoqatës interpretuan këngët tradicionale të Vitit të Ri, të shoqëruara me veshje popullore, në një atmosferë festive dhe simbolike.

Por ndërsa pjesa e parë e këngëve ishte në greqisht, pjesa tjetër ishte në gjuhën arvanitase, çka bëri edhe vajzën e kryeministrit që ndodhej aty të përpiqej të kuptonte se çfarë thuhej në vargje.

Ngjarja u publikua zyrtarisht nga Zyra e Kryeministrit dhe u pasqyrua nga disa media greke si një vizitë thjesht ceremoniale dhe tradicionale, në kuadër të zakoneve të festave të fundvitit.

Megjithatë, interpretimi i këngëve nga përfaqësues të komunitetit arvanitas solli reagime dhe diskutime shpeshherë të zjarrta dhe ofenduese në rrjetet sociale dhe në opinionin publik. Pjesa më e madhe e polemikave lidhej me ngatërrimin e qëllimshëm ose të paqëllimshëm mes gjuhës arvanitase dhe shqipes moderne, si dhe me interpretimin e identitetit kulturor të Arvanitasve në Greqi.

Kanë pasuar mijëra komente në rrjetet sociale që e politizuan ngjarjen, duke e paraqitur si çështje kombëtare apo gjuhësore, ndërsa në të kundërt, përfaqësues të shoqatës të Liosiotëve të Ilionit dhe studiues të trashëgimisë kulturore theksojnë në komentet e tyre se gjuha arvanitase është një dialekt tradicional historik, se Arvanitët janë pjesë integrale e historisë dhe shoqërisë greke dhe se ruajtja e traditës nuk ka lidhje me identitete apo pretendime politike.

Nga ana e Kryeministrit dhe autoriteteve zyrtare nuk pati asnjë koment polemik, ndërsa ngjarja u trajtua si pjesë e protokollit festiv dhe e pluralizmit kulturor të vendit. Media kryesore greke, në shumicën e rasteve, e pasqyruan ngjarjen në mënyrë neutrale, duke u fokusuar vetëm në karakterin simbolik të vizitës dhe në atmosferën festive, pa hyrë në debatet që u zhvilluan kryesisht online.

Shoqata në fjalë është një prej më aktiveve sa i përket trashëgimisë kulturore arvanitase dhe në aktivitetet e ndryshme gjithmonë flitet dhe këndohet në gjuhën grek dhe atë arvanitase .

Top Channel

DIGITALB DIGITALB