Interi nuk ka plan ta mbajë Asllanin, mesfushori shqiptar propozohet te klubi i njohur i Serie A
E ardhmja e Kristjan Asllanit te Torino mbetet në pikëpyetje, teksa klubi po shqyrton seriozisht mundësinë e ndërprerjes së parakohshme të huazimit të mesfushorit shqiptar.
Konfirmimi vjen pas raportimeve të mëparshme, ndërsa zhvillimet e reja priten në orët në vijim.
Pavarësisht 15 paraqitjeve me fanellën e Torinos, shumica si titullar, Asllani nuk ka arritur ende të bindë plotësisht stafin teknik dhe drejtuesit. Ai ndodhet me ekipin në Verona dhe është grumbulluar për ndeshjen e orës 18:00, por situata e tij mbetet e hapur.
Nëse marrëveshja ndërpritet menjëherë, 22-vjeçari mund të rikthehet te Interi, klubi që zotëron kartonin e tij, vetëm gjashtë muaj pas transferimit në formë huazimi. Asllani iu bashkua Torinos gjatë verës për 1.5 milionë euro, me një opsion blerjeje prej 11.5 milionë eurosh, ndërsa më herët ishte kërkuar edhe nga Bologna për një transferim të përhershëm.
Në këtë situatë, drejtori sportiv i Torinos, Gianluca Petrachi, dha një mesazh të qartë për mesfushorin shqiptar:
“Sigurisht që presim shumë më tepër nga Asllani. Ai është një lojtar i rëndësishëm dhe duhet ta tregojë veten si titullar në fushë, ashtu si shumë të tjerë. Sot ishte në stol, por shpresojmë që të rikthehet në formacionin titullar. Kjo vlen për të dhe për të gjithë lojtarët e tjerë. Duhet të tregojë atë vendosmëri të shëndetshëm që pres nga të gjithë.”
Deklarata e Petrachit duket se e vendos Asllanin përballë një prove vendimtare, ndërsa orët e ardhshme pritet të jenë vendimtare për të ardhmen e tij te klubi “granata”.
Top Channel