Në disa kilometra të saj rruga ka qenë tërësisht e bllokuar duke bërë që me orë të tëra mijëra njerëz të qëndronin në trafik në temperatura që këtë fillim janari kanë shënuar nën zero.
Por ky nuk është trafiku i thjesht një jave festash, ky është normaliteti i çdo fundjave dhe në ritem pak më të ulët, i çdo dite.
Por cilat janë shkaqet e kësaj situate?
Në aksin nacional Elbasan-Qafë Thanë në ditë të zakonshme lëvizin rreth 15 mijë mjete. Në fundjavë kjo lëvizje dyfishohet, e shumë më tepër është në festa apo periudhë vere.
Ky aks është e vetmja rrugë që lidh juglindjen e vendit me kryeqytetin, portin e Durrësit dhe aeroportin e Rinasit. E anasjelltas e vetmja rrugë që lidh pjesën tjetër të Shqipërisë me juglindjen dhe dy pika të rëndësishme doganore si Kapshtica dhe Qafë Thana.
Nisur nga ky fluks rruga e ashtuquajtur korridori VIII po zgjerohet. Punimet në rrugë krijojnë vështirësi në lëvizje.
E parashikuar të ndikonte në uljen e trafikut, degëzimi Qukës Qafë Plloçë rezultoi i pasuksesshëm pasi, sipas drejtuesve të mjeteve kjo rrugë është e vështirë, me shumë kthesa të rrezikshme dhe ngjitje të vështira.
E sikur të mos mjaftonin këto, rruga nacionale më e ngarkuar në vend kalon në mes të tre qyteteve Elbasanit, Librazhdit dhe Përrenjasit, pa llogaritur fshatrat.
Edhe këto qytete kanë lëvizjet e tyre urbane e interurbane që degëzohen me aksin nacional, duke rezultuar më pas me kaos që këtë fillim vit la me orë të tëra të bllokuar mijëra njerëz.
Top Channel