“Pajtohuni për reformën zgjedhore dhe territoriale”, kreu i KQZ për Top Channel: Partitë politike të arrijnë konsensus

03/01/2026 12:13

Viti i ri nis me sfida të vjetra për politikën.

Mazhorancës dhe opozitës i duhet të nisin sesionin e ri me detyra të mbartura, të cilat u bllokuan për shkak të konfliktit politik. Apeli i Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve është që palët të hedhin pas krahëve mosmarrëveshjet për t’i hapur rrugë konsensusit për reformën zgjedhore dhe territoriale.

Apeli im është i njëjtë me atë të ndërkombëtarëve dhe qytetarëve. Në këtë vit do të duhet t’i tejkalojnë këto kontradikta që kanë për të gjetur konsensus për reformën zgjedhore, territoriale dhe reformat e tjera”, u shpreh Ilirjan Celibashi, kreu i KQZ, për Top Channel.

Në kalendarin politik, 2026 nuk është vit elektoral, por për Ilirjan Celibashin nuk duhet të jetë as vit pushimi. Nëse duan një hartë të re territoriale, palët duhet të nisin punën sa më parë.

Do të duhet që ta kemi 1 vit përpara zgjedhjeve të ardhshme lokale hartën territoriale-administrative të territorit të Republikës së Shqipërisë. Personalisht nuk më duket aq e vështirë për të dakordësuar sesi duhet të jetë harta administrative-territoriale e Shqipërisë”, shtoi Celibashi.

Një leksion se si bëhen zgjedhje të mira, me standarde dhe të pranuara nga të gjithë, Shqipëria mori sërish në Kosovë në fundvit. Për pyetjen se përse Kosova ia del të organizojë procese më cilësore, Ilirjan Celibashi e ka një përgjigje.

KQZ e Shqipërisë është një institucion i cili, nga pikëpamja e organizimit dhe funksionimit, është i ngjashëm me atë të KQZ-së së Kosovës, por përsëri procesi zgjedhor është larg atij të Kosovës. Kjo lidhet me qasjen e partive politike apo institucioneve të tjera. Ne e kemi parë shumë mirë sesi partitë politike sillen në Kosovë ndaj procesit zgjedhor. Ato e ndajnë shumë mirë interesin e tyre politik me qasjen që duhet të kenë nga pikëpamja juridike-administrative ndaj procesit zgjedhor”, theksoi kreu i KQZ-së.

Sfidë për Komisionerin mbeten depolitizimi i administratës zgjedhore, rregulla jo vetëm për financimin e partive politike, por edhe për sjelljen e administratës dhe funksionarëve publikë gjatë fushatës elektorale.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB