Sherr mes të rinjve në Gjirokastër, 19-vjeçari godet me thikë të riun, arrestohet nga policia
Pas një situate problematike që zgjati nga orët e para të mëngjesit deri rreth orës 23:00 të ditës së djeshme, qarkullimi në aksin e rrugës kombëtare Elbasan–Librazhd–Përrenjas i është rikthyer normalitetit.
Kaosi rrugor, i shkaktuar nga ngricat tejet të mëdha dhe reshjet e dëborës, la të bllokuara mijëra automjete dhe dhjetëra mijëra pasagjerë, të cilët u detyruan të kalojnë orë të tëra në rrugë, në kushte të vështira atmosferike.
Situata u përkeqësua ndjeshëm në segmentet më problematike të këtij aksi, të njohura për prezencën e shpeshtë të ngricave, si “Kthesat e Murrashit”, “Kthesat e Dragostunjës” dhe “Kthesat e Pishkashit”, ku mungesa e ndërhyrjes në kohë bëri që qarkullimi të paralizohej pothuajse totalisht. Trafiku i mjeteve arriti në dhjetëra kilometra nga Fushë Labinot i Elbasanit deri te Ura e Bushtricës në bashkinë e Përrenjasit duke krijuar një situatë e paprecedentë për këtë aks nacional.
Sipas burimeve nga terreni, nëse firmat e kontraktuara për mirëmbajtjen e këtyre segmenteve rrugore do të kishin qenë në gatishmëri dhe do të kishin ndërhyrë në kohë me hedhjen e kripës në zonat problematike, situata nuk do të kishte dalë jashtë kontrollit. Mungesa e masave parandaluese dhe vonesa në reagim u kthyen në faktorë kyç që çuan në bllokimin masiv të qarkullimit.
Vetëm pas ndërhyrjes shumë të vonuar dhe përmirësimit gradual të kushteve atmosferike, qarkullimi nisi të normalizohej, duke i dhënë fund një dite të gjatë dhe tejet të vështirë për drejtuesit e mjeteve dhe pasagjerët. Ndërkohë sot aksi rrugor nacional vazhdon të ketë ngarkesë trafiku për shkak të lëvizjeve të shumta të pushuesve dhe emigrantëve por pa krijuar bllokime.
Policia vijon të rekomandojë kujdes dhe përdorim të gomave dimërore në ato segmente ku ka ngrica.
Top Channel